Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së

PRISHTINË, 30 korrik/ATSH/ Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar një mocioni për shkarkimin e tij nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë votimit të mbajtur në kuvendin e jashtëzakonshëm partiak më 30 korrik.
Pas daljes nga salla ku u mbajt kuvendi partiak, Shqipe Pantina nga LDK tha se Abdixhiku mori 170 mbështetëse, 152 votuan që ai të shkarkohej, ndërkaq pesë abstenuan.
Delegatët votuan për pyetjen nëse dëshironin që të shkarkonin ose jo kreun e partisë.
Pas lajmit se Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së.
“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!”, shkroi ajo në Facebook.
Ndërkaq, në fjalën hyrëse në nisje të kuvendit, Abdixhiku e cilësoi “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për shkarkimin e tij.
“E konsideroj të gabuar, vjen në mënyrë të njënashme, në një kohë të ndjeshme për vendin dhe kohë përcaktuese për partinë tonë”, tha ai.
Sipas tij, nga ky kuvend që për qëllim rrëzimin e kreut partiak, LDK-ja nuk del më e fortë, më e organizuar e as më e bashkuar.
Ai argumentoi se brenda pak muajsh ishte paraparë që të mbahej procesi i rregullt zgjedhor në parti, duke thënë se nuk do të kishte nevojë për rrëzim, por për zgjedhjen e udhëheqjes së re.
Abdixhiku tha se ky kuvend po mbahet në periudhën kur Kosova po përballet me një prej krizave më të mëdha institucionale në dekadat e fundit, dhe sipas tij, “zgjedhjet e reja që na rrinë mbi qafë sërish”.
Ai kujtoi se më 31 janar kishte fituar votëbesimin e partisë për të vazhduar udhëheqjen, ndonëse theksoi se kuvendi atëbotë ishte thirrur pasi partia kishte shënuar rezultat më të keq në zgjedhjet e shkurtit, sesa shënoi në qershor.
“Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat më të keq, e rrëzohet me rezultat më të mirë”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, përgjegjësinë për punën i jep aktivistëve që u angazhuan gjatë fushatës zgjedhore dhe që e mbrojtën partinë, e jo atyre, që sipas Abdixhikut, refuzuan të merrnin pjesë në organet e partisë e në betejat politike.
Abdixhiku tha se së voni delegatët janë përballur me presione dhe kërcënime për nënshkrimet për nismën kundër tij, duke argumentuar se kjo nuk është mendësia rugoviane.
“Unë sot e vendosi fatin tim në duart tuaj, edhe njëherë. Ju, ju lutem vendoseni fatin e Kosovës dhe LDK-së, mbi fatin tim”, tha Abdixhiku, duke shtuar se do të pranojë rezultatin e këtij kuvendi.
Pas fjalës së Abdixhikut, punimet vazhduan me dyer të mbyllura. /REL/