E Diel, 1 Nëntor 2026

Rindërtimi në Spitallë, miratohet shpronësimi dhe shkëmbimi i pronave për rikonstruksionin e rrugëve në Durrës

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme private dhe shkëmbimin e pronës në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e re për zhvillim në Spitallë, bashkia Durrës.

Vendimi lidhet me projektin “Rikonstruksioni i rrugëve ‘Miqësia’ dhe ‘Azem Hajdari’, loti III, rruga ‘Azem Hajdari’, loti IV, rruga ‘Vala e Detit’” dhe është marrë me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës do të bëhen në favor të bashkisë Durrës, në kuadër të zbatimit të procesit të rindërtimit në zonën e re për zhvillim në Spitallë.

Sipas vendimit, për pronarët që kanë pranuar kompensimin përmes shkëmbimit të pronës, pasuritë private të llojit “ndërtesë” dhe “truall” do të shkëmbehen me pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit.

Ky proces do të realizohet sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve të lidhura ose që do të lidhen ndërmjet bashkisë Durrës dhe qytetarëve që shprehin dakordësinë.

Njësitë përfituese që do të krijohen pas përfundimit të procesit të rindërtimit do të regjistrohen sipas procedurave ligjore në fuqi.

Për pronarët e pasurive që do të shpronësohen dhe nuk përfshihen në skemën e shkëmbimit, vendimi parashikon kompensim të plotë në vlerë për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, “apartament” dhe “ndërtesë”.

Vlera totale e kompensimit të miratuar është 99 932 517 lekë, sipas masave përkatëse të përcaktuara në tabelat bashkëlidhur vendimit të Këshillit të Ministrave.

Fondi prej 99 932 517 lekësh për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme private në zonën e re për zhvillim në Spitallë, bashkia Durrës, do të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit të miratuar për vitin 2026.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin dhe shkëmbimin e pronës në funksion të procesit të rindërtimit, ky fond do t’i transferohet Bashkisë Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Gjatë periudhës së zbatimit të projektit dhe përfundimit të punimeve, qytetarët që nuk kanë në pronësi apo posedim objekte të tjera banimi do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore përmes programeve të rindërtimit ose programeve të strehimit social.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë transaksionet mbi pasuritë e shpronësuara deri në përfundimin e procedurave të regjistrimit dhe kalimit të pronësisë në favor të bashkisë Durrës.

Shpenzimet procedurale të procesit, në vlerën 70 mijë lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Durrës dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›