E Diel, 1 Nëntor 2026

Abissnet Superiore në RTSH/ Egnatia ndëshkon Tiranën me një penallti, Dinamo harron fitoren

Dy sfidat e javës së 13-të të Abissnet Superiore, Tirana-Egnatia dhe Bylis-Dinamo, të transmetuara drejtpërdrejt në RTSH, kanë prodhuar vetëm një gol. Ai i takoi Egnatias, që ka marrë 3 pikët në kryeqytet, kurse Dinamo nuk shkoi më shumë se barazimi në “Adush Muça” të Ballshit.

Tirana është mundur në “Selman Stërmasi” nga kampionët në fuqi me rezultatin 0-1. Bardheblutë mbeten në krizë të thellë, të “gozhduar” në vendin e fundit të renditjes, kurse rrogozhinasit marrin fitoren e dytë radhazi, që i ngjit në vend të dytë.

Egnatia kaloi në avantazh në minutën e 27-të me një penallti të akorduar nga VAR-i, pasi gjyqtari Çelaj në fushë dha faull jashtë zone. Bakajoko nuk gaboi nga pika e bardhë përballë Tafasit. Ky gol mbeti në fuqi deri në fund, por duhet thënë se Tirana shpërdoroi disa mundësi të mira në pjesën e parë, kur goditi edhe traversën.

Në ndeshjen tjetër të Abissnet Superiore, Bylisi dhe Dinamo kanë ndarë nga një pikë pas barazimit pa gola, 0-0. Skuadra e trajnerit Ilir Daja vazhdon të humbasë terren këto javë të fundit, duke dalë tashmë nga 4-shja e parë. 

Sfida në Ballsh ishte e luftuar dhe me disa raste të favorshme për të dyja skuadrat, por asnjë prej tyre nuk u shfrytëzua dhe gjithçka mbeti me rrjeta të paprekura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›