Papa viziton Xhaminë Blu në Stamboll, dërgon mesazh paqeje dhe respekti ndërfetar

Papa Leo XIV vizitoi Xhaminë Blu të Stambollit të shtunën, në ditën e tretë të udhëtimit të tij në Turqi, një vizitë e cila u ndoq nga mijëra qytetarë. Papa hoqi këpucët në hyrje të xhamisë, një përkulje simbolike që u vlerësua nga imamë dhe përfaqësuesit fetarë. Ai kaloi rreth 20 minuta duke ecur mbi qilimin portokalli, duke ndjekur rregullat e vendit të adhurimit.
Muezini i xhamisë, Askin Tunca, tha se Papa ishte i kënaqur dhe dëshironte të ndjente atmosferën e vendit të adhurimit që është një nga atraksionet kryesore të qytetit, me gjashtë minare dhe kupola të mbuluara me pllaka blu të Iznikut. Kjo vizitë pasqyron gjurmët e paraardhësve Benedikt XVI dhe Françeskut, të cilët kishin vizituar xhaminë më parë. Ndryshe nga ata, Leo nuk vizitoi Shën Sofinë, bazilika historike e cila ka ndryshuar funksionin disa herë gjatë shekujve.
Pas vizitës, Papa do të takojë udhëheqësit e kishës lokale dhe do të marrë pjesë në një shërbesë në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit. Ai gjithashtu do të takohet me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I për një deklaratë të përbashkët.
Në vazhdim, Leo do të mbajë meshë në Volkswagen Arena dhe më pas do të shkojë në Liban për pjesën e dytë të turneut të tij të parë jashtë shtetit si udhëheqësi shpirtëror i mbi 1.4 miliard të krishterëve në mbarë botën.
/rtsh.al/