Abissnet Superiore në RTSH/ Sot derbi Partizani-Dinamo, Egnatia do “kurorën” e dimrit në Durrës

Abissnet Superiore luan sot dy nga pesë ndeshjet e javës së 18-të të kampionatit, që mbyll fazën e dytë. Në orën 18:00 zhvillohen Partizani-Dinamo City në “Arena e Demave” dhe Teuta-Egnatia në “Niko Dovana”. Të dyja ndeshjet do të transmetohen direkt në RTSH.
Partizani vjen pas humbjes në Rrogozhinë dhe kërkon të ndalë ecurinë e mirë të Dinamos në derbit e këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja i ka fituar të tre derbit e zhvilluar deri tani, dy ndaj Tiranës dhe një ndaj të kuqve në fazën e parë.
Egnatia kryesuese ka një provë të vështirë në Durrës, ku e pret Teuta. Pas 4 barazimeve radhazi, durrsakët synojnë ta mbyllin me fitore vitin 2025. Rrogozhinasit në anë tjetër duan të ruajnë vendin e parë, që u jep titullin simbolik kampionë dimri. Për këtë u bën punë vetëm fitorja, po të kemi parasysh faktin se Elbasani i vendit të dytë nesër luan me Tiranën e vendit të fundit.
Për Dinamo City dhe Egnatian viti 2025 nuk përfundon këty, pasi më 28 dhjetor këto dy skuadra do të diskutojnë trofeun e Superkupës së Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”.
Java e 18-të e Abissnet Superiore mbyllet të mërkurën me tri ndeshjet e tjera, Elbasani-Tirana, Vora-Bylis dhe Vllaznia-Flamurtari.