Zëdhënësi i Putinit: S’i kuptoj SHBA-të kur thonë se ka përparime në bisedimet për Ukrainën

Zëdhënësi i Presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov ka deklaruar se nuk e kupton saktësisht se çfarë ka dashur të thotë zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kur foli për “përparim të madh” në bisedimet për Ukrainën.
“Sinqerisht, nuk e kuptoj plotësisht çfarë nënkuptohet saktësisht. Është e pamundur që një problem kaq kompleks të zgjidhet në format publik. Nga ana tjetër, ndoshta me kalimin e kohës do të marrim ndonjë sqarim”, tha Peskov.
Pas bisedimeve në fundjavë në Majemi, JD Vance tha se përparimi kryesor është se të gjitha çështjet kryesore tani diskutohen hapur.
Ai përmendi pengesat si koncesionet territoriale në Donbas, kontrollin e mundshëm të përbashkët të centralit bërthamor të Zaporizhzhias dhe statusin e rusëve etnikë në Ukrainë.
Presidenti Donald Trump duke folur në Palm Beach, Florida, tha se bisedimet “po ecin mirë”, por nuk dha detaje specifike.
“Të gjithë janë lodhur nga ajo luftë”, th ai, dhe se do të bëjë çfarë duhet për ta zgjidhur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi draftin e dokumenteve si “mjaft solid dhe dinjitoz”, duke theksuar se puna fillestare është përfunduar, por disa pika mbeten të papranueshme për palët.
Ukraina dhe Uashingtoni shprehin optimizëm të kujdesshëm pas takimeve në Florida.
Bisedimet në Majemi ishin të ndara. SHBA foli veçmas me Ukrainën dhe veçmas me Rusinë. Nuk ka ende takim trilateral të konfirmuar.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo marrëveshje mund të dështojë shpejt nëse Rusia e teston menjëherë, duke vënë në provë garancitë amerikane.
/rtsh.al/