Abramowitz:Serbia nuk mund të negociojë për pavarësinë e Kosovës
E vetmja zgjidhje që mund të sjell një "ditë të re" në Ballkan është që Serbia të pranojë realitetin - që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Nga kjo varet edhe progresi i Serbisë. Këto komente i ka bërë diplomati i njohur amerikan Morton Abramowitz, duke thënë se statusi i Kosovës është zgjidhur dhe Serbia vetëm mund të ketë iluzione për negociata të reja rreth kësaj çështje.
Diplomati i njohur amerikan, ekspert për çështje të Ballkanit, në intervistë për gazetën beogradase "Politika", ka thënë se ai kupton vështirësitë e brendshme që Serbia i ka lidhur me ndërrimin e kursit, por thekson se njohja e situatës së re, është në interesin
e saj më të mirë.
"Serbia ende nuk është e gatshme që të ndërrojë pozicionin e saj, për shkak të politikave të brendshme. Përderisa kjo të mos ndodh, nuk do të mund të ketë as bisedime serioze për çështje të rëndësishme, si vizat, doganat e kështu me radhë. Për gjithçka është i nevojshëm pajtimi i Beogradit, që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran", ka thënë Abrmamowitz. Abramowitz ka vlerësuar se nuk është e mirë që ky procesi i njohjes po zvarritet, dhe se sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe aleatët e saj nuk kanë bërë sa duhet në ndryshimin e kësaj situate.