E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abu Dabi mundet Marrej

Ndoshta e kishte mendjen tek Melburni, por gjithsesi disfata djeg. Andi Marrej, numri 3 i botës, u mund 2-0 me sete nga Janko Tipsareviç në ndeshjen hapëse të turneut të tenisit në Abu Dabi.
Serbi ia doli të thyente britanikun me rezultatin e seteve 6-3 e 6-4, ndërsa do të vazhdojë të luftojë për të fituar titullin dhe shpërblimin prej 250 000 dollarësh amerikanë.
Skocezi 25-vjeçar nuk përballoi dot lojën e Tipsareviçit që në turin tjetër do të ndeshet me Nikolas Almagron e Spanjës. Tenisti serb pati forcën e duhur psikologjike për të përballuar kampionin olimpik në fuqi dhe fituesin e turneut të Çmimit të madh “US Open” në Nju Jork.
Tipsareviç shpreson të arrijë në lartësitë ku ndodhet patrioti i tij, numri 1 i botës Novak Gjokoviç, ndërsa për të gjithë tenistët, turneu në Abu Dabi është një “nxemje” për t’u përgatitur sa më mirë për “Australian Open”, një nga katër kampionatet më të mëdhenj të vitit në këtë sport.
Në Abu Dabi mungon numri 4 i botës, Rafael Nadal i Spanjës, i cili u sëmur nga stomaku, ndërsa ende nuk është kthyer në fushë pas një dëmtimi të rëndë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›