Abu Mazen: Obama të marrë vendime me peshë

Gjatë një konference në Betlehem, Mazen theksoi: “Mesazhi im për Obama-n gjatë takimit që do kem në Uashington javën e ardhshme do jetë se ne kemi nevojë për vendime të mëdha për të ndryshuar rajonin”. Fjalimi i Mazen vazhdoi me tone të ashpra ndaj Izraelit, duke e akuzuar për “terrorizëm shtetëror”.
Ai falënderoi edhe Turqinë për përkrahjen që i ka dhënë popullit palestinez. “Këtë duartrokitje e meriton populli turk që mbështet të drejtat tona”, tha Mazen më tej. Ai vuri në dukje edhe kritikat e shtypit hebre ndaj politikës zyrtare, duke thënë se tashmë ka ardhur koha për një zgjidhje përfundimtare që parashikon krijimin e dy shteteve.
Në fund të fjalës, Mazen i shtriu dorën e bashkëpunimit fraksionit ekstremist të Hamasit, duke thënë se tragjedia me anijet humanitare duhet të shërbejë për një bashkim mes palëve.