E Hënë, 2 Nëntor 2026

Abuzimet me të miturit, avokati: Duhet të trajtohen në aspektin social

Në Qarkun e Korçës kohët e fundit kanë qenë prezente rastet e ngacmimeve dhe abuzimit me të miturit, një vepër penale e dënueshme sipas ligjit.

Rasti më i fundit ka ndodhur në Maliq ku një shtetas 43-vjeçar akuzohet për abuzim seksual me një shtetase të mitur 16 vjeç.

Avokati, Esmerald Xhafa thotë se vepra të tilla kryhen kryesisht nga shtresat e ulëta, por është një fenomen shqetësues, që më shumë sesa një vepër penale, duhet të trajtohet në aspektin social.

“Një problem i njerëzve që nuk kanë kulturën, arsim. Vjen kryesisht nga shtesa të ulëta dhe kryejnë veprime të ulëta”, tha Xhafa.

Xhafa shton se nuk përjashtohet mundësia që këta persona që kryejnë abuzime, t’i ripërsëritin ato, ndaj i mëshon faktit se duhet punuar më tepër me vlerësimin e shëndetit mendor të personave që kryejnë vepra të tilla.

“Edhe nëse i dënon me burg, nëse nuk trajtohet në aspektin mendor, probaliteti është që të përsërisë sërish veprën penale”. Kemi pasur raste që edhe pas dënimit kanë përsëritur të njëjtën gjë edhe pas daljes nga burgu”, tha ai.

Sa i takon rastit të fundit, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe kapjen e autorit të dyshuar

Gazetare: Geralda Sali

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›