Abuzimet, ndëshkohen 108 subjekte që tregtojnë bombola gazi
Sipas drejtoreshës së Metrologjisë dhe Kalibrimit, Pazaj, tregtarët abuzojnë me peshën e gazit. Qytetarët ankohen
Tregtarët e bombolave të gazit abuzojnë me peshën e tyre duke mashtruar qytetarët që janë të detyruar t'i blejnë ato sidomos në këto ditë të ftohta. Këtë e pohojnë vetë qytetarët, por edhe Instituti e Metrologjisë dhe Kalibrimit. Kështu drejtoresha e Përgjithshme e këtij institucioni, Myrvete Pazaj, pohoi se pas inspektimeve që u bënë kohët e fundit janë gjobitur plot 108 subjekte që abuzonin me masën e bombolave të gazit.
Abuzimet
Paguajnë shtrenjtë për gazin që blejnë, por si të mos mjaftonte kjo tregtarët abuzojnë me peshën gazit duke rënduar së tepërmi qytetarët. Madje abuzimet nga këta tregtarë arrijnë deri aty, sa pesha reale llogaritet së bashku me peshën e bombolës dhe si pasojë qytetarët kanë blerë një sasi të vogël gazi kundrejt çmimeve të kripura. Sipas drejtoreshës së Metrologjisë dhe Kalibrimit, Pazaj, këto abuzime janë evidente nga shumë tregtarë dhe subjekte ndaj të cilëve janë marrë masa ndëshkimore. "Stina e dimrit është ajo ku abuzohet edhe më tepër, pasi gazi përdoret masivisht në çdo shtëpi",- pohon Pazaj, duke shtuar se shpesh gjatë inspektimeve kanë hasur edhe në rezistencën e tregtarëve, të cilët ndonëse kanë shkelur ligjin, duke mashtruar qytetarët, kanë bërë rezistencë edhe për kontrolle. "Kemi inspektuar rreth 3200 subjekte, nga të cilët 1008 kanë rezultuar abuzuese ndaj klientëve. Megjithatë mund të them se këto inspektime do të jenë të vazhdueshme, për të verifikuar të gjitha subjektet që nuk batojnë ligjin",- pohon Myrvete Pazaj.
Qytetarët
Janë të detyruar t'i drejtohen tregtarëve abuzues, edhe pse e dinë që këta të fundit përfitojnë në kurriz të tyre. Madje qytetarët pohojnë se çmimi i lartë që paguajnë për gazin dhe aq më tepër kur pesha e tij është e vogël, po varfëron çdo ditë e më shumë xhepat e tyre. "E blej bombolën e gazit 14 mijë lekë dhe nuk më del as 4 ditë. Kjo sepse tregtarët nuk e mbushin për aq sa paguajmë dhe kjo nuk është aspak e drejtë",- pohon qytetarja Alma Gjini. Sipas saj, kjo situatë përsëritet sa herë që blejnë bombola gazi, edhe pse ndonjëherë i blejnë në pika të ndryshme tregtimi. Por ajo që është më shqetësuese për qytetarët, është fakti që nuk gjejnë rrugë tjetër për t'u ngrohur dhe për të gatuar ndaj dhe janë të detyruar të blejnë bombola gazi, edhe pse e dinë fare mirë që po mashtrohen nga tregtarët, duke mos marrë peshën e gazit për të cilën paguajnë. "Jemi të detyruar të blejmë bombola gazi sepse kriza energjetike nuk na jep asnjë rrugë tjetër. Kështu ne paguajmë me çmime të larta për gazin e si pasojë, nuk marrim asnjëherë peshën reale për të cilën edhe shpenzojmë",- pohojnë qytetarët. Të ndodhur përballë kësaj situate qytetarët kërkojnë që organet kompetente të marrin masa ndaj tregtarëve abuzues, të cilët po u shkaktojnë atyre shpenzime të tepërta në mënyrë të padrejtë.
Pazaj: Subjektet nuk njohin ligjin dhe mashtrojnë qytetarët
Tregtarët jo vetëm që marrin guximin dhe abuzojnë në kurriz të klientëve, por ata nuk e njohin fare ligjin sa i takon tregtimit të këtij lëngu dhe detyrimet që kanë ndaj konsumatorëve. Këtë e pohon drejtoresha e Metrologjisë dhe Kalibrimit, Myrvete Pazaj, e cila pohon se gjatë inspektimeve u vu re se subjektet nuk e njihnin fare ligjin. "Fakti që këta tregtarë nuk e njohin ligjin ka sjellë vështirësi të mëdha në zbatimin e tij, ndaj dhe detyra kohët e fundit ka qenë që subjektet të detyrohen ta njohin këtë ligjin",- pohon Pazaj. Megjithatë, ajo thekson se ndëshkimet ndaj subjekteve abuzuese me tregtimin e gazit kanë qenë të pranishme dhe se janë vendosur shumë gjoba. Sipas saj, masa e gjobave fillon nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë të reja për subjektet abuzuese. "Subjektet e vogla janë gjobitur kryesisht me një shumë prej 10 mijë lekësh të reja, ndërsa për subjektet e mëdha kjo shumë arrin deri në 500 mijë lekë të reja",- pohon Pazaj duke shtuar se me anë të ndëshkimeve, synojnë të arrijnë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Gjithashtu ajo pohon se aksionet e inspektimeve po rriten gjithnjë e më shumë sidomos në këtë kohë, kur është edhe piku i përdorimit të lëngut të gazit.
Mjekët: Përdorimi i gazit pa kriter sjell pasoja
Qytetarët e shikojnë si rrugën e vetme për t'u ngrohur dhe gatuar, por mjekët nuk e rekomandojnë përdorimin e gazit të lëngshëm sepse nuk është e këshillueshme për shëndetin e tyre. Kështu, mjekët specialistë shpjegojnë se përdorimi i gazit dhe sidomos kur ai përdoret pa kriter, sjell pasoja negative për shëndetin. Këto pasoja, sipas tyre fillojnë me rrugët e frymëmarrjes, por edhe me shikimin dhe funksione të tjera që kryen organizmi. "Shpesh qytetarët ankohen për djegie të syve, dhimbje koke dhe marrje mendsh dhe shumë ankesa të tjera, që dëshmojnë qartë që përdorimi i gazit nuk është aspak i dobishëm",- pohojnë mjekët. Ndërkohë atë theksojnë se, ata që shqetësohen më shumë nga përdorimi i gazit të lëngshëm janë moshat e vogla dhe kjo për shkak të organizmit të dobët që ata kanë.
3200 subjekte që tregtojnë gaz janë inspektuar nga Instituti i Metrologjisë dhe Kalibrimit, gjatë muajve të fundit.
108 subjekte që tregtojnë gaz janë konstatuar se tregtojnë gaz në mënyrë abuzive, duke mashtruar konsumatorët.
10 mijë lekë të reja është vlera më e vogël e gjobës që është vendosur për subjektet që tregtonin gaz në mënyrë abuzive.
500 mijë lekë të reja është vlera më e vogël e gjobës që është vendosur për subjektet që tregtonin gaz në mënyrë abuzive.