Botuesit letër Topit, kundra TVSH-së për librin në import
Sipas botuesve ligji i miratuar mbron monopolet e vjetra mbi shtypjen e librit. Nxënësit rrezikojnë të mos pajisen me libra
Botuesit dhe sidomos ata të teksteve shkollore, kundërshtojnë miratimin e ligjit "Për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (20 %) për librin në import" që u miratua në Parlament më datën 26.12.2007. Kështu të gjithë botuesit i janë drejtuar me një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bamir Topit, kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Arsimit, Genc Pollo. Sipas botuesve ky ligj do të sjellë pasoja negative që në shtypjen e teksteve shkollore. "Kalimi me ngut i këtij ligji në Parlament pa u konsultuar me grupet e interesit, na bind se shtysat e miratimit të këtij ligji, janë për të mbrojtur interesa të caktuara që duan të ruajnë monopolet e vjetra mbi shtypjen e librit dhe aspak për të mirën e shkollës",- pohojnë pjesëtarët e Shoqatës "Botuesit e Teksteve Shkollore", me kryetar Latif Ajrullai dhe sekretar, Red Jegeni. Madje botuesit paralajmërojnë se ky ligj rrezikon që të mos pajisë të gjithë nxënësit me libra në fillim të vitit shkollor.
Letra
Ne kërkojmë nga presidenti Topi që të mos e dekretojë këtë ligj, i cili nuk ka logjikë ekonomike dhe është i dëmshëm për kulturën dhe reformën në arsim. Kështu janë shprehur botuesit duke e argumentuar si ligj që favorizon interesa të ngushta të disa personave në pushtet, të lidhur me shtypshkronja të caktuara dhe diskriminon grupe të tilla interesi, si: botuesit, autorët e teksteve shkollore dhe drejtpërdrejtë mësuesit dhe nxënësit që i përdorin këto tekste. Kështu botuesit e teksteve shkollore pohojnë se janë të detyruar të zbatojmë me përpikëri kontratat që kanë lidhur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe që kanë të bëjnë me çmimin e përcaktuar të tekstit, cilësinë e letrës dhe afatin e shtypjes së librave. Të ndodhur përballë kësaj situate ata shpjegojnë se në këtë kontratë, nuk është e parashikuar TVSH-ja mbi librin, gjë që tashmë, me ligjin e ri, e pamundëson botuesin të plotësojë kërkesat e kontratës. Gjithashtu ata shpjegojnë se vendosja e TVSH-së për librat vetëm në import, i vendos shtypshkronjat e vendit në pozita favorizuese përkundrejt shtypshkronjave jashtë vendit dhe cenon parimin bazë të barazisë në konkurrencë, duke i shmangur shtypshkronjat e vendit nga konkurrenca dhe nxitja për të rinovuar teknologjitë e tyre të vjetruara. "Në këto kushte, edhe çmimet e shtypjes nuk ka gjasa të bien në nivelet e çmimeve në të cilat punojnë shumë shtypshkronja të rajonit por përkundrazi, të rriten",- pohojnë botuesit duke shtuar se sipas këtij ligji, detyrohen t'u drejtohen vetëm shtypshkronjave të vendit, por paradoksi është se as kapaciteti, as cilësia e shtypjes dhe as afatet e shtypjes nuk do të mund ta bëjnë të realizueshme këtë. Kështu, sipas tyre, vendosja e TVSH-se së librit vetëm në import krijon mundësi për krijim të monopolit, eliminon konkurrencën, prish cilësinë e shtypjes së teksteve, duke e kthyer reformën e teksteve shkollore 3-4 vjet mbrapa. "E keqja më e madhe është se rrezikohet seriozisht pajisja e nxënësve me libra në fillim të vitit shkollor pasi brenda një muaj apo vit? duhen shtypur 5-6 milionë tekste për nevojat e shkollave",- pohojnë botuesit.
Botuesit: "ALTERTEKST" reforma që solli dobi për tekstet
Që prej 3 vjetësh, kur ka filluar reforma në arsim e quajtur "ALTERTEKST", ka ndryshuar tërësisht fizionomia e teksteve shkollore në drejtim të cilësisë së shtypit, të letrës e të libërlidhjes, duke i bërë ato të krahasueshme me tekstet evropiane. Kështu u shprehën botuesit, të cilët këtë reformë e quajnë të dobishme pasi kjo cilësi u arrit falë faktit se botuesit i zgjedhin vetë shtypshkronjat ku i shtypin librat, duke u nisur nga kostoja më e ulët, cilësia më e lartë dhe afatet më të shkurtra të shërbimit. "Reforma e "ALTERTEKST"-it solli konkurrencë te tregut vendas me atë të rajonit. Për vitin shkollor 2007-2008, një numër i madh i teksteve shkollore u shtypën jashtë vendit, në shtypshkronja me teknologji moderne",- pohojnë botuesit. Kjo, sipas tyre, krijoi mundësi që jo vetëm të përballohen kufizimet e ngushta të kostove të përcaktuara në reformën e teksteve shkollore, po edhe të arrihet një shtypje mjaft cilësore, madje në afatet kohore të shkurtra, në të cilat jemi të detyruar të punojnë.