E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me çmimet e biletave, gati dosja për agjencitë

UDHËTIMET/ Kreu i drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit shprehet se ka pasur ankesa të shumta ndaj agjencive që merren me shitjen e biletave


VLORË - Prej kohësh kanë rezervuar vendet në tragete, duke paguar edhe biletat, por tashmë u duhet të paguajnë para ekstra, sepse ndërkohë agjencitë pretendojnë rritje të çmimeve. Një gjë e tillë ka bërë që nga ana e drejtorisë së kufirit dhe migracionit të nisin edhe hetimet, teksa nga ana e tyre po përgatitet një dosje për t'u dorëzuar në Prokurorinë e Vlorës, ku do të faktohen edhe abuzime të tilla.


Ndërsa vetë emigrantët e shumtë që kthehen në vend, shprehen se dhe ky vit ka qenë zhgënjyes. Në një kohë që shifrat e ardhjeve të sivjetme kanë pësuar një lëkundje të lehtë drejt rënies, çmimet e biletave që ata duhet të paguajnë, kur kushtet e udhëtimit lënë shumë për të dëshiruar, janë ato që mbeten shqetësime ekzistuese për ta.


Emigrantët flasin deri për çmime të dyfishuara gjatë këtij sezoni, të cilat luajnë edhe me ditë, ndërsa kushtet në tragete nuk përligjin aspak këtë rritje drastike. Radhët e gjata, ankthi nëse do të mund të ikin apo jo ditën e planifikuar, orët e pritjes, mbajnë të rritur çdo vit tensionin në portin e Vlorës gjatë kësaj periudhe.


Drejtues të drejtorisë së kufirit dhe migracionit pohojnë se ndërsa këtë vit kanë punuar në rritjen e shërbimeve, paralelisht nuk kanë lënë pa vlerësuar as ankesat e shumta që vijnë kundrejt agjencive. Ata pohojnë se po bëhet gati tashmë dosja që do të dorëzohet në prokurorinë e Vlorës, kundrejt agjencive që po abuzojnë gjatë muajit gusht në këtë fluks emigrantësh.


Arben Hajdarmataj, kreu i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, duke mos bërë me dije ende emra konkretë agjencish, pohon se abuzimi ka qenë kryesisht me lëvizjen e çmimeve të biletave, rezervimet për të cilat janë bërë kohë më parë.


Sipas tij, hetimet nuk prekin vendosjen e çmimeve të tanishme, por ato për të cilat emigrantët kanë rezervuar dhe paguar kohë më parë. Ka agjenci, të cilat pavarësisht parapagimit të biletave, u kërkojnë emigrantëve të paguajnë shtesat, çka sipas kreut të drejtorisë së kufirit përbën element të veprës penale, të përfitimit me anë të mashtrimit. Gjithsesi, këto do t'i përcillen prokurorisë për hetime të mëtejshme.


Përsa i përket eliminimit të radhëve, të cilat sot kanë qenë edhe më të gjata, Hajdarmataj pohon se radhët janë disiplinuar brenda ambienteve portuale, për të evituar trafikun në rrugë, ndërsa po punohet me të gjitha sportelet, katër prej të cilave janë për automjetet. Mesatarisht këto ditë gushti janë nisur prej portit të Vlorës rreth 600 automjete dhe mbi 1800 këmbësorë, ndërsa janë në dispozion tre tragete.


Kriza, emigrantët nisin rikthimin në atdhe


FIER - Kriza ekonomike dhe humbja e vendit të punës në shtetin helen ka bërë që shumë emigrantë të kthehen në vendlindje dhe të mendojnë nisjen e një jete të re. Sipas statistikave nga drejtoria rajonale e punës në Fier, numri i emigrantëve që i janë drejtuar kësaj zyre për të kërkuar një punë shkon në 30.


Edhe pse deklarohet zyrtarisht se numri mund të jetë disi më i lartë, por vetëm kaq janë regjistruar gjatë muajit gusht, interesimi i emigrantëve pranë zyrës së punës Fier ka qenë shumë herë më i lartë se ai i regjistruari.


Sipas njërit prej specialistëve të zyrës së punës, pjesa më e madhe e personave që kanë humbur vendet e punës në Greqi kanë qenë pa profesion, ndërkohë që nuk mungojnë edhe rastet e personave me arsim të mesëm apo të lartë. "Ka një fluks emigrantësh të cilët janë kthyer dhe kanë kërkuar punë pranë zyrave tona. Kanë thënë që kanë humbur vendet e punës në Greqi dhe e kanë të pamundur sigurimin e një pune tjetër.


Kanë vlerësuar se do të ishte më mirë të ktheheshin këtu. Pranë zyrës së punës në Fier duhet thënë se kanë kërkuar informacion punësimi me dhjetëra emigrantë jo vetëm nga Greqia, por edhe Italia e vende të tjera. Shihet një tendencë, ndryshe nga vitet e kaluara, që emigrantët po kërkojnë të riintegrohen këtu", shprehet drejtori i Zyrës së Punës në drejtorinë rajonale të Fierit, Kristaq Lena.

Ai ka shpjeguar se kërkesat e emigrantëve që kanë vendosur të rrinë në Shqipëri pas problemeve ekonomike, janë të shumta. "Ka pasur kërkesa për punësim. Ka pasur kërkesa për hapje biznesi etj", -thotë Lena, ndërsa pohon se është hera e parë këtë vit që një numër kaq i lartë emigrantësh kërkojnë të "riatdhesohen" e të punojnë në vendlindjen e tyre.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›