Italiani kapet me 5.6 kile hashash, tre në pranga

Policia e kryeqytetit arrestoi dy vëllezër bashkë me një italo- arab të cilëve blutë iu bllokuan marijuanën tek sa po e shisnin
Të arrestuarit dyshohet se prej një muaji kryenin trafik dhe shpërndarje të drogës në zona të ndryshme të Tiranës
TIRANE- Një italian me origjinë arabe dhe persona nga Tirana, u arrestuan nga zyra e hetimit të Antidrogës, në Policinë e kryeqytetit të dyshuar si të përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës në kryeqytet.
Policia sekuestroi një sasi prej 5.6 kg marijuanë e cilësisë së lartë e cila sipas burimeve të policisë, mësohet se përdorej për t'u shitur dhe tregtuar nga të arrestuarit në tregun e brendshëm të kryeqytetit. Lajmi u bë i ditur dje nga zëdhënësja e Policisë së Tiranës Alma Katragjini gjatë një deklarate për shtyp të saj dhënë dje paradite.
Në operacionin e zhvilluar në rrugën "Tefta Tashko", në afërsi të zonës së njohur me emrin Xhamlliku, policia kapi në flagrancë dhe arrestoi tre persona, italianin me origjinë arabe Sadok Akari, 23 vjeç, me banim në Tiranë , si dhe dy vëllezërit Endrit dhe Eri Dervishi përkatësisht 22 dhe 20 vjeç me banim po në kryeqytet.
Personat e mësipërm, sipas burimeve të policisë, u kapën tek sa po shkëmbenin lëndën narkotike. Sipas policisë fillimisht me lëndën narkotike është kapur italiani me origjinë arabe me një sasi të vogël marijuane, ndërsa më pas kontrolli është vazhduar në banesën e dy vëllezërve Eri dhe Endrit Dervishi, me banim në kryeqytet.
Gjatë kontrollit të kryer nga policia në banesën e dy vëllezërve ështe gjetur dhe sekuestruar edhe sasia e konsiderueshme prej rreth 5.6 kg marijuanë. Lënda narkotike ishte ndarë në 312 qese farmaceutike ku secila kishte afërsisht nga 5 gram. Ndërkaq, një pjesë tjetër e marijuanës ishte e papaketuar.
Siaps burimeve të policisë që kryen kontrollin e banesës së dy vëllezërve të arrestuar, ata e kishin fsheur lëndën narkotike, ndërsa as vetë të afërmit e tyre dukej se nuk kishin dijeni mbi të.
Sipas policisë, dyshohet se personat e mësipërm kryenin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në tregun e brendshëm në Tiranë, kryesisht në zonat e Kinostudios, e Bërrylit etj. Sasia prej 5.6 kg mariuanë, u sekuestrua nga policia në cilësinë e provës materiale, bashkë me disa telefona celularë dhe sende të tjera.
Gjatë marrjes së të arrestuarve në pyetje nga zyra e hetimit të antidrogës, të arrestuarit nuk kanë preferuar të flasin, apo të japin sqarime në lidhje me sasinë e lëndës narkotike të bllokuar ndaj tyre nga oficerët e zyrës së hetimit të antidrogës së Policisë së Tiranës.
Hetimi i këtij rasti kishte më tepër se një muaj që kryhej nga oficerët e antidrogës e ndihmuar në vëzhgime dhe ndjekje të të dyshuarve edhe nga njësia e operacioneve dhe të kërkimit. Këta të fundit kryen edhe ndërhyrjen të enjten pasdite në afërsi të vendit të ngjarjes në bashkëpunim me oficerët e antidrogës.