Abuzimi me fondet e SASPAC, SPAK dërgon për gjykim Ilir Beqajn

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për abuzimet me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), gjatë kohës që drejtohet nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
SPAK-u e ka dërguar tani dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme, duke konfirmuar zyrtarisht akuzat ndaj ish-ministrit për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe mashtrim.
Ish-ministri Beqaj ka qenë nën hetim me dyshimin se në institucionin që ai drejtonte ka pasur abuzime me tenderat. Beqja u arrestua më 4 korrik me akuzën për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ai ishte drejtor i përgjithshëm i Agjencisë.
Sipas SPAK-ut, prokurimet nuk kalonin përmes procedurave të rregullta ligjore. Abuzimet dyshohet se bëheshin mes Ilir Beqajt në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR, pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022–2023.
/rtsh.al/