Abuzoi me fondin e pensioneve, gjykata lë në burg ish-drejtoreshën e Postës në Durrës

Gjykata e Durrësit la në masën e sigurisë “arrest në burg” Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshën e filialit të Postës në Durrës, e shkarkuar pak ditë më parë, lidhur me abuzimin e 69 milionë lekëve të rinj, pjesë e fondit te pensioneve dhe ndihmës sociale.
Në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, gjykata la ish-shefen e Financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paola Dana, të arrestuara nga policia pas denoncimit dhe hetimeve që nisën për abuzim me miliona lekë nga fondet e institucionit.
Në seancën gjyqësore, prokuroria paraqiti prova të reja nga hetimi i çështjes. Sipas organit të akuzës, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj është frekuentuese e kazinove. Mësohet se ajo deklaroi para gjykatës se lojërat e fatit nuk ndalohen nga ligji. E pyetur për fatin e shumës së përvetësuar dhe se ku kanë shkuar paratë, Mataj ka thënë se nuk e di.
Në përfundim të seancës, gjyqtari i çështjes, Xhevdet Lika, vendosi të lërë në burg, deri në përfundim të hetimeve, ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ndërsa për ish-shefen e Financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paola Dana caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Ndalimi i tyre u bë në kuadër të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, janë përvetësuar rreth 69 milionë lekë të rinj, të cilat ishin planifikuar të arkëtoheshin nga Filiali i Postës Shqiptare në Durrës për degët e Shijakut dhe Krujës, për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike për banorët e këtyre zonave.
Gazetare: D. Shkodrani
/rtsh.al/