E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuan me tenderin e shkollës, hetim kryekomunarit

Kryetari i Komunës së Topojës, në bashkëpunim me revizorin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare të fshatit Topojë, kanë abuzuar me detyrën duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 4 milionë e 340 mijë lekëve. 

FIER - Prokuroria e Fierit dje ka nisur hetimin ndaj kryetarit të Komunës së Topojës dhe revizorit Edison Drishti, të cilët akuzohen për "shpërdorim detyre". Ka qenë Kontrolli i Auditit në Prefekturën e Fierit, që ka dorëzuar dokumentet për shkeljet e konstatuara me tenderin për rikonstruksionin e godinës së shkollës së kësaj komune, ku mësojnë më shumë se 280 nxënës. Pas denoncimit nga Auditi i Prefekturës, agjentët e Sektorit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, kanë bllokuar dosjen e tenderit në fjalë dhe kanë nisur hetimet. Mësohet se materialet e kësaj dosjeje në ngarkim të 55-vjeçarit Zarka dhe 47-vjeçarit Edison Drishti (ky i fundit me profesion inxhinier, revizor e banues në Tiranë), dje i janë përcjellë dhe prokurorisë së rrethit. Burime zyrtare nga policia, bëjnë të ditur se dyshohet që Zarka, duke përfituar nga posti i kryetarit të Komunës së Topojës, në bashkëpunim me Drishtin, me detyrë revizor i punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare të fshatit Topojë, kanë abuzuar me detyrën duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 4 milionë e 340 mijë lekëve. "Kryekomunari dhe revizori i punimeve të shkollës së re 9-vjeçare të fshatit Topojë, dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale 'shpërdorim të detyrës në bashkëpunim', parashikuar kjo vepër nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal", - është shprehur zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Fierit, Valbona Meço. Sipas Meços, dy personat në fjalë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, pasi do të jetë gjykata ajo që do të provojë fajësinë e tyre.

(s.g/i.h/NEWS24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›