Formulari A3, fituesit shpallen më 5 nëntor
TIRANE-Formularin A3, mund ta plotësojnë jo vetëm ata që nuk kanë rezultuar fitues gjatë dy fazave të para, por edhe ata kandidatë që janë të pakënaqur me degën ku janë klasifikuar sipër vijës së kuqe. A3-i do të shkojë pranë drejtorive arsimore me datë 21 tetor, dhe të gjithë ata që nuk janë shpallur ende fitues kanë 5 ditë në dispozicion për ta tërhequr, ndërsa ata që duan të ndryshojne preferencë kanë vetëm një ditë afat për ta marrë atë. Ministria e Arsimit ka shpërndarë udhëzimin se si do të veprohet me formularin A3 dhe ka sqaruar se rreth 4000 fituesit së tretë do të shpallen më 5 nëntor.
Udhëzimi
Kandidatët do të aplikojnë vetëm për vendet e shpallura të lira, që janë rreth 4 mijë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës pas përfundimit të fazës së dytë të regjistrimeve. Fituesit e fazës së tretë do të përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve (APRIAL), sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të "Maturës Shtetërore" dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit si dhe vullnetit të kandidatëve i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A3. Formulari A3 përmban të gjitha kuotat e publikuara vetëm pak ditë më parë nga MASH, për secilin program studimi të ciklit të pare. Ai shpërndahet në DAR/ZA dhe në APRIAL, ku të tërhiqet nga kandidatët, të plotësohet dhe të dorëzohet i plotësuar në institucionin në të cilin është tërhequr. DAR/ZA-t të tërheqin Formularët A3 në APRIAL në datën 21 tetor 2008.
Afatet kohore
Kandidatët që nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve edhe pas përfundimit të dy fazave të para duhet të paraqiten në DAR/ZA në periudhën 22-26 tetor 2008 për të tërhequr formularin A3. Ndërsa ata kandidatë që kanë rezultuar fitues në një nga dy fazat e para, por nuk janë regjistruar si dhe ata që duan të ndryshojnë degë duhet të paraqiten në APRIAL, deri në datë 22.10.2008, ora 18:00, për të tërhequr formularin A3. Dorëzimi nga kandidatët i formularëve A3 të plotësuar bëhet në DAR/ZA dhe APRIAL, deri më datë 27 tetor, m,ë pas, drejtoritë arsimore do të sjellin në APRIAL formularët A3 të plotësuar më 28 tetor. pas kësaj date do të nisë përpunimi i të dhënave dhe më 5 nëntor do të shpallet lista përfundimtare e kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit do t'i dorëzojë këto lista praën universiteteve më 6 nëntor, të cilët do t'i afishojnë menjëherë në vende të dukshme në mjediset e tyre.
Regjistrimi
Ministria e Arsimit detajon në udhëzimin e saj për formularin A3, se regjistrimi i kandidatëve fitues, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakultetit ku janë shpallur fitues nga data 7 nëntor deri më 15 nëntor. Në rast se kandidatët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse. Këta kandidatë do të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë e fakulteteve, të cilat të dërgohen në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Vetëm pas verifikimit të bërë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të bëhet regjistrimi përfundimtar i tyre në sekretaritë përkatëse. Edhe çregjistrimi i kandidatëve që do ndryshojnë profil do bëhet nga data 07-15 nëntor si dhe do t'u kthehet dosja individuale me dokumentet përkatëse. Një kopje e listës së kandidatëve të çregjistruar do të dërgohet në MASH dhe në APPRIAL. Sekretaria mësimore pajis kandidatin që bën regjistrimin, ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, data dhe ora e regjistrimit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)