Adelina, "përkrahë shpirtërisht" LDK-në

Këngëtarja Adelina Ismaili dite me pare ka ardhur në Prishtinë për të kënduar në 23-vjetorin e themelimit të LDK-së. Ajo ka kënduar dy këngë, këngën hit të saj kushtuar presidentit historik me titull “Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën” dhe një tjetër këngë nga repertori i saj me titull “Skënderbe”.
Lajmi i përfshirjes së saj në politikë u përhap menjëherë dhe zgjoi kuriozitetin e të gjithëve. Një këngëtare me një karrierë të gjatë në skenë dhe me shumë fansa dhe mbi të gjitha një adhuruese e të ndjerit Ibrahim Rugova, nuk është se nuk bënte sens nëse do të orientohej në politikë.
Mediat kanë përfituar nga rasti për t’i marrë një prononcim mbi të rejat e fundit.
“Nuk është e vërtetë që do futem në politikë dhe nuk e di pse ka dalë ky lajm. E vërtetë që unë jam adhuruese e Ibrahim Rugovës dhe do përkrah shpirtërisht atë forcë politike, por unë nuk jam tip që mund të merrem me politikë. Unë jam natyrë shumë impulsive dhe e di mirë që kjo e dëmton dikë që duhet të merret me politikë. Jam e sigurt që, po të merresha me politikë, do të përfundoja në burg, se e njoh mirë veten”, transmeton "Panorama" të jetë përgjigjur Adelina.
Adelina rrëfen se është ultranacionaliste dhe ka frikë se politika mund t’i largojë fansat e saj që i ka fituar me shumë punë dhe ka kohë, por ka lënë të hamendësohet se në të ardhmen nuk i dihet. /Indeksonline/