Rudina dhe Xhaviti, çift në publik

Moderatorja Rudina Magjistari dhe kampioni kosovar i kick-boksit, Xhavit Bajrami, tashmë po bëjnë plane serioze për jetën, ndërsa shihen gjithmonë e më shumë bashkë këto kohë në Tiranë.
Rudina e nisi vitin 2013, me një rrëfim të rëndësishëm personal për veten, historinë e dashurisë në lidhjen dyvjeçare me kampionin e kick-boksit, Xhavit Bajrami me origjinë nga Kosova, por që bën karrierë në Zvicër. Moderatorja e “Tv Klan” vendosi ta rrëfente vetë historinë e saj në emosionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, duke e përshkruar si një njohje që nisi nga një mesazh i ardhur në Facebook, dhe që pas takimit u konsiderua nga të dy “dashuri me shikim të parë”.
Kjo lidhje u mbajt e fshehtë për dy vjet nga Rudina, ndërkohë që tashmë duket se lidhja e tyre ka hyrë në një fazë shumë serioze. Këtë javë Rudina dhe Xhaviti janë shfaqur për herë të parë çift në publik, ndërsa kanë qenë të pranishëm në festën që ka organizuar Inva Mula e Ethem Ramadani për 1- vjetorin e vajzës së tyre në Durrës.
Ndërkohë që Xhaviti tashmë po jeton në Tiranë, pasi është duke përgatitur vendosjen e tij këtu, fillimisht me hapjen e një palestre gjigante, që është duke u ndërtuar pranë Universitetit Europian të Tiranës, shkruan "Panorama". Rudina do e zhvendosë po ashtu qendrën e saj estetike, për ta bashkuar biznesin e saj me Xhavitin. Pas kësaj, ata thuhet se kanë planifikuar dhe një martesë, për të cilën ishte Xhaviti ai që pohoi se vendimin për të lidhur kurorë po ia lënë kohës, me qëllimin për t’iu shmangur deklaratave të forta publike, por më shumë për ta lënë surprizë këtë vendim.
Ndërkohë për kampionin 37-vejçar të kick-boksit, kthimi i tij në Shqipëri është një vendim i menduar mirë, për faktin se ai mund ta lërë sportin dhe të vazhdojë punën tashmë si trajner, një punë që e bën ndërkohë në Zvicër. Nga ana tjetër, Rudina, paralelisht me emisionin e pasdites në “Tv Klan”, prezanton dhe spektaklin e talenteve për fëmijë “Gjeniu i vogël”, që shumë fansa në rrjetet sociale e kanë komentuar si një rastësi të mirë për t’i sjellë asaj dhe një fëmijë së shpejti. /Indeksonline/