E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata "Obama", John Kerry mund të zëvendësojë Hillary Clinton

16-12-2012 / Gazeta 55

Uashington- Mediat amerikane po raportojnë ditët e fundit, kandidaturat e mundshme për të zëvendësuar Hillary Clinton në administratën e Presidentit Obama. Një ndër ta është edhe senatori nga shteti Masaçusets, John Kerry. Sekretarja e Shtetit, Clinton, e cila konsiderohet të jetë më popullorja nga anëtarët e kabinetit të administratës Obama, ka njoftuar tanimë planet e saj për t’u larguar nga posti më i lartë diplomatik amerikan brenda disa javëve. Specifikisht, rrjeti i televizionit amerikan ABC citon burime të besueshme dhe të afërta me procesin e emërimit, të cilat thonë se Presidenti Obama ka vendosur tanimë të emërojë kryetarin e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe ish-kandidatin demokrat për president, John Kerry në postin më të rëndësishëm qeveritar, atë të Sekretarit të Shtetit.


Senatori Kerri njihet si një përkrahës i vendosur i Presidentit Obama dhe emri i tij është përmendur si kandidat i mundshëm pas tërheqjes nga marrja në konsideratë e ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara, Suzanë Rajs — që fillimisht preferohej nga Presidenti Obama — por e cila u kritikua ashpër nga republikanët për deklaratat që bëri pas sulmit kundër misionit amerikan në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Kris Stivens. Raporte të ndryshme në mediat amerikane lënë të kuptohet, se ka mundësi që Presidenti Obama të bëjë njoftimin zyrtar për emërimin e senatorit Kerri nga mesi i kësaj jave si pjesë e një pakoje emërimesh të larta, përfshirë edhe emërimin e ish-senatorit republikan Çuk Hejgël në krye të Pentagonit.


Senatori Kerri është i njohur mirë nga publiku amerikan falë fushatës për president, të cilën e humbi kundër republikanit Xhorxh Bush më 2004-ën.  Në Senatin amerikan, ku ka shërbyer për një kohë të gjatë, ai njihet si ekspert në punët e jashtme, një detyrë kjo që e ka ekspozuar atë edhe ndaj ngjarjeve në arenën ndërkombëtare. Si i tillë dhe duke u bazuar në lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Obama, në qoftë se emërohet, ai nuk pritet të ketë ndonjë problem në procesin e miratimit të emërimit të tij në detyrën e Sekretarit të Shtetit, madje as nga senatorët republikanë.


John Kerry, mik i shqiptarëve 


Për fat të mirë tonin, Senatori Xhon Kerri njihet shumë mirë edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe ai e njeh mirë jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikan, por është njohës i mirë edhe i çështjeve shqiptare në Ballkan. Senatori Kerri, si kandidat i Partisë Demokrate për president në vitin 2004, në një njoftim për media, të titulluar "Xhon Kerri, duke punuar së bashku me shqiptaro-amerikanët’’, pati deklaruar se, “përkrahte Pavarësinë e Kosovës; përkrahte përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet  Euro-Atlantike; përkrahte përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, që të kenë të drejta të barabarta si qytetarë të shoqërive demokratike’’. Senatori Kerri me atë rast vlerësoi komunitetin shqiptaro-amerikan, duke thënë se brez pas brezi, ju “si amerikanë keni ndërtuar komunitetet tona, duke krijuar mundësi ekonomike dhe begati. Ju vlerësoni familjen, komunitetin, përgjegjësitë dhe oportunitetin”. 


Në deklaratën e tij drejtuar shqiptaro-amerikanëve gjatë fushatës presidenciale me 2004, senatori Kerri gjithashtu vlerëson lidhjet e ngushta të komunitetit shqiptaro-amerikan me vendlindjen dhe  thotë se “marrëdhënie të tilla e bëjnë vendin tonë të fortë  e njëherazi edhe një komb të madhërueshëm”. Ai shtoi, duke thënë se lidhje të tilla i ndihmojnë Amerikës të vendosë dhe të ndërtojë miqësi dhe të lidhë aleanca të forta.  Prandaj tha ai, “nuk është e rastit që populli shqiptar është një ndër popujt më  pro-amerikan në botë.’’


Në deklaratën e 23 korrikut 2004, që siç duket ishte një dokument  përmbledhës i mendimeve të tija ndaj shqiptarëve këtu në Amerikë dhe në trojet e tyre në Ballkan, thotë gjithashtu se beson që “stabiliteti, demokracia dhe begatia në Ballkan janë në interesin e Amerikës”. Në lidhje me Kosovën qe shprehur se “propozimet për të ndryshuar ose për ta ndarë  atë duke u bazuar në vija etnike nuk ndihmojnë ndërtimin e një shoqërie multi-etnike, as nuk përgatisin rajonin për një të ardhme në Evropë”.


Në fund të deklaratës, Senatori Kerri u tha shqiptaro-amerikanëve se “Jam krenar, që duke punuar së bashku me ju do të realizojmë ëndrrën e Shqiptarëve, të aleatëve tanë dhe të gjithë atyre të cilët janë të interesuar për një Evropë në paqe, demokratike, të lirë nga frika dhe shtypjet – një Evropë të tërë dhe të lirë nga Baltiku deri tek Deti i Zi ….e deri në Adriatik”.


Megjithëse Senatori Kerri nuk ia doli të bëhej president më 2004, shpresojmë që  tetë vjet pas kësaj deklarate shumë miqësore për Shqiptarët dhe ndërkohë që konsiderohet të emërohet si Sekretar i ardhshëm i Shtetit nga Presidenti Obama, Senatori Kerri të ketë ruajtur këto ndjenja miqësore ndaj Shqiptarëve. Gjithashtu shpresojmë që Senatori John Kerry, në qoftë se emërohet dhe miratohet si numër një i diplomacisë amerikane, të rivendosë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›