Idrizi: Rezoluta, akt i fqinjësisë dhe një borxh që politika ua ka shqiptarëve të Çamërisë
PDIU mbledh Këshillin Kombëtar, për të prezantuar platformën e çështjes çame
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi dje mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar, në thelb të të cilit ishte strategjia për zgjidhjen e çështjes çame, duke u nisur nga rezoluta e prezantuar përpara pak ditësh në Kuvend. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi prezantoi strategjinë e zgjidhjes së çështjes çame, e cila sipas tij, hapat e të cilës janë të përqendruara në vetvete në Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Idrizi shprehu bindjen se rezoluta do të kalojë me vullnetin e të gjithë deputetëve, si vota individuale qytetarësh shqiptarë, si një borxh që politika shqiptare ia ka Çamërisë. Ai theksoi se rezoluta është në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe kërkon vetëm zbatimin e të drejtave dhe lirive kryesore të njeriut, duke respektuar fqinjësinë e mirë. “Sot jemi më të vendosur se kurrë ta çojmë amanetin tonë në vend. Sot para gjithë kombit e botës ky amanet ka marrë formën e rezolutës parlamentare. Aty janë porositë për tu kthyer në tokën e të parëve, për të parë varret, për pronat. Ky tekst është sot publik në dritën e diellit, sot kemi detyrë ta mbrojmë. Ne bazohemi mbi konventat evropiane të të drejtave të njeriut, bazohemi tek vlerat që kane ndërtuar botën demokratike. Ata që s’thonë asnjë fjalë të mira të paktën ta dëgjojnë rezolutën. Është akt bashkimi dhe jo ndarje. Është një platformë e studiuar mirë është dokumenti më i rëndësishëm, që i vë kapak çështjes çame, kësaj plage të hapur të çështjes sonë kombëtare. Përkujdesja dhe shërimi i kësaj plage është aksion kombëtar, interesi i të gjithëve. Ne i kemi hyrë këtij aksioni. Fqinjësi e mirë do të thotë reciprocitet dhe ne këtë po kërkojmë, do të thotë të njohësh të drejtat reciproke, të ulësh dhe të bisedosh, të heqësh ligjin e luftës, të nderosh të vrarët në të dyja anët. Nëse jemi fqinjë ne duhet të merremi vesh, është akt i fqinjësisë së mirë, i ftojmë të jetojmë bashkë. Është akt kujtese, sepse partitë e mëdha e kanë harruar çështjen çame, është akt bashkimi e konsensusi, duam ta firmosin të gjithë, myslimanë, krishterë e ortodoksë, të majtë e të djathtë, është akt drejtësie evropiane mbështetemi vetëm mbi ligjet evropiane, akt patriotizmi për të gjithë se atdheu është dhe kujtimi i të parëve, ne i respektojmë ata”, deklaroi Idrizi.
Presidenti i Nderit i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini theksoi se të gjithë duhet të jemi të bashkuar rreth kësaj rezolute dhe mendimet kundër saj, vijnë ndesh me çështjet e kombit tonë. “Dëgjohen zëra se përse rezoluta u propozua tani. Këto zëra janë pa kuptim. Sot janë ndërlidhur për herë të parë tre fakte, që të gjitha partitë kanë në program çështjen çame, që patriotizmi është në qendër të politikës dhe që komuniteti është më i bashkuar”, tha z. Muhedini. Kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana deklaroi se kjo rezolutë është në vazhdën e përpjekjeve 22-vjeçare të shqiptarëve të Çamërisë, nëpërmjet shoqatës së parë të regjistruar pas regjimit komunist, që ishte Shoqata Çamëria. “Pak javë na ndajnë nga përvjetori i 22-të i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, e para shoqatë e këtij lloji pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, e cila mblodhi rreth vetes ëndrrat, përpjekjet dhe shpresat e popullsisë shqiptare të Çamërisë, që e kish pritur me padurim atë. Në programin e saj, Shoqata që në atë kohë përcaktoi qartë kërkesat e saj, kërkesa që kanë mbetur të tilla edhe sot: kthimin e shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre, njohjen e të drejtës së shtetësisë (që e kishin gëzuar deri në vitin 1945), njohjen e të gjitha të drejtave në bazë të akteve dhe traktateve ndërkombëtare si minoritet në Greqi, etj. Për përmbushjen e këtyre kërkesave ka patur një angazhim të pandërprerë nga ajo kohë, angazhim ky që me uljet dhe ngritjet e veta ka mbajtur të ndezur jo vetëm shpresat, por mbi të gjitha vetë Çështjen Çame dhe besimin në zgjidhjen e saj”, deklaroi Tana.