E Hënë, 2 Nëntor 2026

Admirali i NATO-s: Ura e Ibrit të mos hapet tani, të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart B. Munsch e ka konsideruar hapjen e Urës së Ibrit një çështje politike dhe jo ushtarake. Sipas tij kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut, në të kundër mund të shkaktojë tensione duke rritur pasigurinë në zonë.

“Politika e NATO-s është që të mos hapet në këtë kohë. Do t’i nënshtrohet dialogut. Është një çështje politike dhe jo ushtarake. Kjo është për shkak të gjasave që mund të shkaktoj dëm, të ambiente jo të sigurt. KFOR-i mban vija të hapura të komunikimit me të gjitha forcat e sigurisë në zonë. Në këtë kohë nuk kemi një shqetësim sa i përket transparences”, tha admirali Munsch.

Sipas tij, KFOR-i kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për një lëvizje të lirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë, ndërsa shtoi se lidhur me çështjet e sigurisë e para që reagon është Policia e Kosovës dhe KFOR-i është i fundit.

“KFOR-i ka mandatin për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ka pasur ndërveprime mes KFOR-it dhe komunitetit serb në Kosovë për të dëgjuar dhe ndihmuar në një mjedis të qetë në Kosovë.  Sa i përket sigurisë policia e Kosovës është reaguesi i parë, EULEX i dyti dhe KFOR-i i treti”, tha ai.

Hapja e Urës së Ibrit u kërkua nga qeveria e Kosovës si e drejtë e saj për të vendosur mbi territorin e Republikës së Kosovës, por kjo u kundërshtua nga Perëndimi me arsyetimin se duhet të jetë pjesë e dialogut politik pasi mund të shkaktojë tensione të mëtejshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo çështje ka nxitur edhe reagimin e Serbisë duke e cilësuar si provokim nga ana e Kosovës, ndërsa komuniteti serb ka protestuar duke kundërshtuar hapjen e Urës së Ibrit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›