Adresimi i 7000 kërkesave për kompensimin e pronës, BE dhe KiE mbështetje teknike institucioneve shqiptare

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës (KiE) ofruan mbështetje teknike për Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencinë për Trajtimin e Pronave (ATP) për të adresuar një numër të konsiderueshëm prej 7000 kërkesash për kompensimin e pronës.
Në përputhje me objektivat e Planit të Veprimit, të miratuar së fundmi nga ATP-ja (2025-2028), një seri konsultimesh gjithëpërfshirëse, u organizuan gjatë periudhës 30 tetor deri më 14 nëntor, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të ATP-së, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, institucionet administrative dhe gjyqësore, si edhe ekspertë të të drejtës së pronës dhe organizata të shoqërisë civile.
Gjatë rishikimit dhe fizibilitetit të planit të veprimit të ATP-së, pjesëmarrësit u fokusuan në përshpejtimin e procesit të aplikimeve sipas ligjit nr. 133/2015, që rregullon trajtimin e pronës, si dhe përafrimin e tyre me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nën ekspertizën teknike të Këshillit të Evropës, pjesëmarrësit eksploruan barrierat aktuale që pengojnë zbatimin në kohë dhe me efikasitet të Ligjit 133/2015, të ndryshuar, dhe rishikuan masat e propozuara të planit të veprimit të ATP-së për të forcuar kuadrin e zbatimit.
Konsultimeve nxorën një sërë rekomandimesh që synojnë rritjen e bashkëpunimit, reduktimin e ngarkesës së mbetur dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në procedurat e kompensimit të pronës.
Kjo mbështetje u zhvillua në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri (D-REX III)” të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës në kuadër të programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
/r.e/a.f/