Adriatik Lapaj te “Ali Demi”: Nuk është betejë personale, por mision për Shqipërinë

Drejtuesi i nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, zhvilloi një takim me banorët e zonës së “Ali Demit” në Tiranë, ku prezantoi disa nga pikat kryesore të programit të tij elektoral.
“Ne synojmë që të bëjmë një reformim total të sistemit tonë legjislativ për sa i përket fushave kryesore. Në programin tonë kemi parashikuar që të rinjtë tanë të rrinë në Shqipëri. Si? Të gjithë ata njerëz që marrin angazhimin për të hapur biznese të vogla me xhiro deri në 200 milionë lekë (shën. lekë të vjetër), kaq do ta vëmë tavanin, do të kenë mundësinë që në këtë republikë të punojnë me tatim-fitimi zero,” deklaroi z. Lapaj.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, ai u shpreh se kjo garë nuk është për përfitime personale, por një përpjekje për të ndryshuar rrënjësisht realitetin politik dhe shoqëror të vendit.
“Ju lutem mos na lini vetëm, se kjo nuk është një betejë për pushtet. Kjo është një betejë dhe referendum për ndryshimin e atdheut, ndaj çohuni! Bashkohuni! Shkoni dhe bindini të gjithë!” bëri thirrje z. Lapaj.
Drejtuesi i nismës “Shqipëria Bëhet” u zotua për një transformim të thellë të Shqipërisë, duke u bërë thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për ndryshimin dhe për një qeverisje që vendos interesin publik mbi çdo gjë.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/