Aedi i fundit
Kush ishte Haziz Ndreu, rapsodi i këngëve të egra dhe të buta
Këto radhë i kushtohen rapsodit popullor, figurës së Haziz Ndreut (1928-2000). Në trashëgiminë muzikore shpirtërore shqiptare të shek. XX, janë të shumtë rapsodët të cilët ia vlen që t’i analizojmë, por ne do të qëndrojmë posaçërisht tek figura e Ndreut, këtij muziktari dhe rapsodi të shquar të muzikës homofonike të Dibrës, në shek. XX. E rimarrim për shqyrtim figurën e tij artistike, sepse ende nuk është thënë plotësisht, sa dhe si duhet mbi rolin e rapsodit muzikor popullor si një institucion shumë funksional i trashëgimisë shpirtërore, e në mënyrë të veçantë mbi Haziz Ndreun, si më tipikun ndër ta. Ky shtjellim mbi figurën e rapsodëve bëhet akoma më interesant, në mënyrë të veçantë kur sjellim ndër mend faktin, se në gjithë botën, rapsodët i këndojnë popullit, ndërkohë që në Shqipëri, populli u këndon rapsodëve, pasi kaq i fortë është kulti i tyre. Deri më sot, fjala rapsod, ka qënë çmuar si një kategori e veçantë e muziktarëve popullorë, të cilët janë të lidhur ngushtësisht me këngëtimin e “Eposit të Kreshnikëve”, pra kryesisht të epikës sonë legjendare. Siç dihet, muzika popullore e atyre anëve ishte pjesë esenciale e jetës dhe vdekjes. Në “Kanunin e Lek Dukagjinit”, në kreun“Dasma”, përcaktohet se, në dasmë legjitimohen “kënga dhe vallja”. Në përgjithësi çdo rapsod nuk e ka ushtruar zanatin me pagesë. E tillë kjo sjellje fisnike rapsodike ka qënë qysh prej kohëve homerike. Le të sjellim ndër mend hakmarrjen e Odisesë ndaj princërve, pretendentë për t’u martuar me Penelopën, ku i vetmi që shpëtoi gjallë, ishte një rapsod i verbër, i quajtur Demodok i cili u fal prej Odisesë pikërisht, për shkak të respektit ndaj kultit mitik të rapsodëve.
Siç është gjerësisht e njohur muzika homofonike e Shqipërisë së Veriut (tradita më e mirë e kësaj muzike në këto shekujt e fundit), është e pandarë nga krijimi dhe institucionalizimi i personalitetit të rapsodit muzikor popullor, qoftë ky me lahutë, lahuri, çifteli apo sharki. Sigurisht që kulti i rapsodëve (me vegël e në vargje), u forcua kur muzika popullore doli prej ambienteve familjare, për tu bërë më publike, përmes kremtimeve të festave dhe gëzimeve apo edhe në ceremonitë mortore. Ka një lidhje të fortë edhe me parapëlqimin e tipit të veglës muzikore që rapsodët do të preferonin. Bëhet fjalë për rrudhjen e funksionit të veglës mijëravjeçare të lahutës, të kësaj vegle legjendare të kullave dhe shtëpive malësore, dhe orientimin kah vegla si çiftelia, të manovrueshme dhe të përshtatshme për çdo ambient. Kemi disa lloje çiftelish. Çiftelia e vogël quhet ndryshe edhe çifteli Dukagjini, sepse përdoret në regjistrin e lartë; çiftelia mesatare quhet ndryshe edhe çifteli Tirane, në ndonjë rast edhe çifteli Elbasani; çifteli e madhe quhet çiftelia e Dibrës e cila nuk kombinohet me sharki për shkak të regjistrit të poshtëm që është i ngjashëm me sharkinë. Dy telat e çiftelisë akordohen në mënyra të ndryshme dhe mbi tela luhet me pendë ose me pendën e bërë nga lëkura e drurit të qershisë. Sot e gjejmë të përdorur kryesisht në funksion të vokalit, si vegël solistike por edhe si vegël përbërëse në ansamble me vegla kordofone dhe membranofone. Në këto aktivitete, ku rapsodët ftoheshin dhe dëgjoheshin me respekt, filloi gradualisht që të formësohej kulti institucional i rapsodëve, jo thjesht si muziktarë që këndonin dhe interpretonin në një vegël muzikore të caktuar.
Është e pamundur që të mos bëjmë një homazh për ata dhjetëra muziktarë dhe bartës të trashëgimisë popullore shpirtërore, të cilët u bënë shtrati pjellor ku institucioni i rapsodit muzikor, u mbështet për të krijuar profilin e tij, dhe ndajmë një mendje me Ernest Koliqin kur konstaton se në malet e Shqipërisë së Veriut gjallojnë ndoshta të vetmit aedë-rapsodë, në të gjithë Europën.
Sot kuptimi i fjalës raspod në praktikën muzikore popullore është më i gjerë. Arsyet pse gradualisht filloi të krijohej kulti i ri i rapsodit, mendoj se lidhet me faktin që populli dhe jeta e përditshme filloi të kërkojë nga ata një model të ri të ruajtjes dhe përcjelljes së traditës. Duke respektuar parimin bazë të ekzistencës së trashëgimisë popullore si traditë që transmetohet gojë më gojë, rapsodët popullorë u shndërruan në motorin perfekt të gjallimit, qarkullimit dhe transmetimit të saj nga njëra anë në tjetrën, por edhe nga njëri brez në tjetrin. Ndër rapsodët e njohur shqiptarë përmendim Sali Bajram Krasniqi (1919-1987-Kosovë), Vad Marashi-Pukë, Prendush Gega, Selim Hasani-Vlorë, Dervish Shaqja-Rrushbull, Mato Hasani-Vlorë, Xhebro Gjika-Vlorë; Zef Avdia-Tropojë, Sokol Arifi-Tropojë, Lefter Çipa-Himarë, Frok Haxhia-Pukë, Sali Mani, Fatime Sokoli, Xhelal Daka etj.
Një ndër ta ishte dhe është Haziz Ndreu, i çmuar fillimisht në këngëtimin dhe interpretimin në çifteli, e më pas si valltar, muziktar në vegël, mbartës dhe mbledhës i folklorit, dhe si poet popullor e i urtë. U lind më 1 shkurt 1928 në Zall-Dardhë të Dibrës. Rrjedh nga familje me traditë në muzikë, këngë dhe valle popullore. Aktivizohet si muziktar popullor pranë shtëpisë së kulturës-Peshkopi. Afirmohet në interpretimin në vegël dhe në të kënduar në Festivalin e Këngës, muzikës dhe valles, 1959, ku vlerësohet me çmimin e parë si rapsod popullor. Pas kësaj merr pjesë në të gjitha F.F.K e Gjirokastrës dhe atë të Beratit 1995. Njohja ndërkombëtare e interpretimeve të tij fillon me Festivalin e Rinisë Botërore në Moskë, më 1957 dhe në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar të Bukureshtit, më 1962. Ndër dhjetëra këngët e kënduara dhe përpunuara prej tij, të gjithë kujtojmë “këngët e egra” dhe ato “të buta” si “Hajredin Pasha”, “Elez Isufi”, “Bini, o trima bini”, “Vijnë pamporët”, apo “Suf Murra”; ndër vallet ato të “Korabit”, Të thuprës”, “Të Koxhaxhikut” etj. Ka bërë punë të jashtëzakonshme për evidentimin e kostumeve të zonës; ka mbledhur dhjetëra faqe trashëgimi gojore.
E gjithë kjo krijimtari është regjistruar dhe gjendet e sistemuar në arkivat e Radio-Televizionit Publik Shqiptar dhe të ish-Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore).
Mënyra e të ndërtuarit formal muzikor të këngëve të tij reflektonte rregullat e pashkruara të metodës kompozicionale popullore si p.sh: drejtimi zbritës i melodisë, vendosja e raporteve mes përcjelljes instrumentale të këngës dhe këndimit në vargje të saj; ndërtimi i kulminacionit në 2/3 e këngës si një prerje e artë e gjithë krijimit, pa harruar këtu fillimin e këngëtimit me fjalën HEJ, që shërben si një ndërlidhje mes rapsodive të reja me ish-këngët legjendare të repertorit të lahutës etj. Vërejmë se përshkrimi i figurës së Haziz Ndreut është një me portretin e rapsodit bashkëkohor, gati-gati si një institucion lëvizës ndërshekullor i traditës. Të thuash sot që je rapsod popullor si Haziz Ndreu, do të thotë se je një me ndërgjegjen dhe kujtesën popullore mbarëkombëtare. Institucioni i raspodit ishte dhe është provë e sigurt se si populli ka gjetur mënyrën për të çertifikuar pjesët muzikore të cilat duhet të transmetohen ndër breza. Si të tillë, rapsodët do të kujtohen përjetë, së bashku me traditën që bartin, ashtu si njeriu përcjell racën njerëzore nga brezi në brez.