E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aeroporti i Vlorës, Gazheli: Asistencë në fushën e kontrolleve aeroportuale dhe për procedurat doganore

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Në kuadër të ecurisë së procesit të ndërtimit dhe certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli priti ditën e sotme përfaqësues të kompanisë operuese të Aeroportit të Vlorës, ekspertë të aeroportit të Mynihut përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil, Albcontrol dhe të Policisë Kufitare.

Kreu i DPD-së, Gazheli u shpreh se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një nga projektet më të mëdha të qeverisë shqiptare ka ndikim të madh, si në fushën e turizmit me shtimin e numrit të turistëve, ashtu edhe në zhvillimin që jep aeroporti për zonën përreth.

“Dogana, duke qenë pjesë e funksionimit të organikës aeroportuale ka tashmë të gjithë ekspertizën dhe përvojën e duhur për të kontribuuar me sukses në finalizimin sa më parë të këtij projekti. Ne, si administratë doganore, ju vëmë në dispozicion specialistët tanë më të mirë si në fushën e kontrolleve aeroportuale ashtu dhe në fushën e procedurave doganore,” u shpreh Gazheli.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) po merr formë dita-ditës, për ta shndërruar atë në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.

Ky aeroport do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ky aeroport, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë.

Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.

Ai është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›