Afera e incineratorëve/ Bardhi: Ahmetaj, njeriu i besuar i Edi Ramës, rrezikon 15 vite burg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar praninë e Arben Ahmetajt për t’u përballuar me kërkesën e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për t’i hapur rrugën e arrestimit.
Duke folur në seancën e mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Strukturës së Posaçme për arrestimin e Ahmetajt, Bardhi vuri në dukje se përveç ish-zëvendëskryeministrit duhet që edhe Edi Rama të japë shpjegime për aferën e incineratorëve për të cilat akuzohet Ahmetaj.
Bardhi tha se njeriu i besuar i Edi Ramës rrezikon 15 vite burg.
“A ka informacion kryetari i Kuvendit mbi Ahmetajn, dhe ku ndodhet ai ditën e sotme. Nëse ai ka arsye të mungesës së tij ne do të duhet të shtyjmë seancën. Atëherë të vijë kryeministri Edi Rama dhe japë shpjegime.
Nëse ai është i shtruar në spital ne kemi detyrimin kushtetues dhe ligjor të shtyjmë seancën. Meqenëse z. Ahmetaj është fshehur dhe u fsheh edhe Edi Rama. Sot njeriu më i besuar i Edi Ramës rrezikon 15 vite burg”, u shpreh Bardhi.
/rtsh.al/