E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, fëmijët në këmbim të opiumit

e Mërkurë, 30 Janar, 2013 | 10:24 am

Bandat e opiumit në Afganistan po përdorin djemtë e vajzat e fermerëve si kolateral për borxhet e papaguara. Pasojat për ata që refuzojnë janë të tmerrshme. Një dokumentar i realizuar në Afganistan tregon realitetin me të cilin përballen fermerët, të cilët marrin para hua nga lordët e drogës për të kultivuar opium, i përdorur për të bërë heroinën, por tashmë kanë mbetur bosh pasi forcat e mbështetura nga NATO shkatërruan të mbjellat e tyre (opiumin). Tani bandat marrin fëmijët e fermerëve, përfshirë vajza 10-vjeçare, për t’i çuar në Pakistan apo Iran që t’i shesin si skllave seksi apo për t’i përdorur si transportues. Dokumentari i transmetuar nga rrjeti amerikan “PBS” quhet “Nuset e Opiumit” e përfshihet në seritë reale, “Frontline”. Gazetari investigativ ka siguruar pamje të një fermeri, të cilit i ishte prerë koka dalëngadalë me një brisk, pasi kishte refuzuar të jepte vajzën e tij. “Duket shumë e tmerrshme për të qenë e vërtetë”, thanë producenti Xhemi Dourein dhe reporteri afgan, Najibullah Quraishi, për CNN. Në dokumentar ka edhe një intervistë me një vajzë 6-vjeçare, e cila rrezikon t’i jepet bandës së opiumit në këmbim të të atit të saj, që e kishin marrë, pasi nuk i paguante dot. Nëna që nuk mund ta shikonte të bijën në fytyrë, tha se do ta jepte vajzën, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›