Afganistan, rrëzohet helikopteri i NATO-s, s`ka viktima

NATO-ja thotë se njëri nga helikopterët e saj është përplasur në pjesën juglindore të Afganistanit, por nuk ka pasur lëndime në njerëz në këtë incident.
Ejmi Hesajon, zëdhënëse e Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse të Sigurisë në Afganistan, që udhëhiqet nga NATO-ja, tha se helikopteri e bëri “një ulje të vështirë” në provincën lindore Logar, mbrëmë vonë.
Ajo theksoi se nuk ka pasur raporte për aktivitet të kryengritësve në afërsi.
Por, militantët talibanë nëpërmjet një deklarate kanë pretenduar se luftëtarët e vet kanë rrëzuar helikopterin dhe kanë vrarë pasagjerët.
Më herët këtë muaj, talibanët, gjithashtu kanë deklaruar se kanë rrëzuar një tjetër helikopter të NATO-s.
Nga kjo përplasje në Kandahar u vranë shtatë ushtarë amerikanë dhe katër afganë.
Zyrtarët amerikanë thonë se nuk dukej se helikopteri ishte qëlluar nga zjarri, por hetimi zyrtar ende nuk është kompletuar.