E Diel, 1 Nëntor 2026

Aftësime profesionale për të burgosurit

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, përmes qendrave të aftësimeve profesionale, do ta mbështes Shërbimin Korrektues të Kosovës, në lëmin e aftësimeve profesionale, në trajnimin e trajnerëve, stafit të punësuar pranë këtyre shërbimeve dhe personave në vuajtje të dënimit.

Për këtë, ministri i Drejtësisë, Haki Demolli dhe ai i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi.

Ministri Demolli tha se Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë për qëllim risocializimin e personave që janë në vuajtje të dënimit, duke shtuar se “Personat që kanë rënë ndesh me ligjin, gjatë vuajtjes së dënimit, përmes metodave të ndryshme si kulturore, sportive, arsimore dhe aftësimeve profesionale përgatiten sa më mirë për riintegrim në shoqëri, jashtë ambienteve të institucioneve korrektuese”.

Edhe ministri Rashiç, nënshkrimin e këtij memorandumi, e vlerësoi si hap të rëndësishëm në risocializimin e të burgosurve. Ai theksoi se edhe të burgosurit janë pjesë e shoqërisë dhe përmes trajnimit që do ta sigurojë Ministria e Punës, ata do të kenë mundësinë që më lehtë të integrohen në shoqëri.

Pas përfundimit të trajnimit për aftësime profesionale dhe vuajtjes së dënimit, personat e dënuar do të aftësohen që të jenë konkurrentë në tregun e punës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›