E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasani: S’kam kërkuar heqjen e Lidhjes së Prizrenit nga emblema

Gjykata Kushtetuese e Kosovës thotë se ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që ta ndryshojë emblemën, duke vendosur brenda saj, krahas “Komuna” në shqip, edhe “Opstina” dhe “Belediye”. Kryetari i Gjykatës, Enver Hasani, thotë se imazhi i Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit nuk ka qenë objekt i diskutimit.

Një ditë para protestës së paralajmëruar në Prizren nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Hasani, nëpërmes një letre dërguar kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, e ka rikujtuar se afati i dhënë nga Gjykata për ndërrimin e statutit dhe emblemës skadon më18 qershor
2010.

“Prandaj, Gjykata Kushtetuese e fton komunën që ta informojë atë lidhur me hapat e ndërmarrë dhe përparimin e bërë për t'u pajtuar me Aktgjykimin e Gjykatës në mbështetje të obligimeve nen nenin 116.1 te Kushtetutës”, thuhet në letrën, e cila iu është përcjellë edhe medieve.

Gjykata Kushtetuese, më 18 mars të këtij viti, në rastin Xhemajl Kurtishi kundër Kuvendit Komunal të Prizrenit kishte vendosur se propozimi i Kurteshit për t'i pasur fjalët "Komuna", "Opstina" dhe "Belediye" brenda rrethit të emblemës ishte i arsyeshëm. Por Gjykata dëshiron të sqarojë se kurrë nuk ka thënë që imazhi i Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit ishte objekt i diskutimit.

Në paragrafin 4 të Aktgjykimit, Gjykata “urdhëron Komunën e Prizrenit që, brenda një periudhe prej tre muajsh nga dorëzimi i këtij Aktgjykimi, ta ndryshojë Statutin dhe emblemën e saj, në mënyrë që ta sjellë atë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe te mos i përjashtojë komunitetet joshumicë”.

Kurse në pikën 5, Gjykata kishte kërkuar nga Komuna e Prizrenit t'i raportojë Gjykatës mbi përparimin në lidhje me pajtueshmërinë me këtë Urdhër, para skadimit të periudhës së tre muajve prej dorëzimit të Aktgjykimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›