Agim Sulaj, ekspozitë në Luksemburg
Një tjetër aktivitet ndërkombëtar shënohet për artistin shqiptar Agim Sulaj. Me ftesë të Muzeut të Karikaturës dhe Humorit në Vianden, si dhe bashkisë së këtij qyteti turistik, Sulaj do të ekspozojë 40 vepra në pikturë e karikaturë. Piktori është fitues i dy konkurrimeve ndërkombëtare të organizuara nga ky muze dhe miqtë e kështjellës së Viandenit, ndaj edhe kjo paraqitje e tij ishte më se e justifikuar.
Janë të pakta, por mjaft të rëndësishme ekspozitat që organizohen në këtë muze të karikaturës. Mund të përmendet ekspozita e artistit të madh francez Honore Daumier me vepra të publikuara të këtij artisti, ekspozita e Viktor Hygosë, ku përfshiheshin të gjitha vizatimet e karikaturat e tij bërë nga ai vetë, por dhe karikaturistë bashkëkohës e miq të shkrimtarit të madh francez.
Agim Sulaj, i cili do të jetë i pranishëm në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, ka zgjedhur vepra me dimension të vogël, por me mesazhe të forta aktuale si ambienti dhe ruajtja e tij, emigrimi, një temë e shprehur që në afishe, si dhe problematika të tjera për të cilat Sulaj është bërë i njohur dhe ka fituar mjaft çmime e vlerësime në mbarë botën.