E Diel, 1 Nëntor 2026

Agimi i Artë proteston në Kapshticë: Na morët kishën ortodokse, të dëbohen emigrantët

KAPASHTICË- Përfaqësues të “Agimit të Artë’ u tubuan paraditen e sotme në pikën kufitare të Kapshticës (në pjesën e tokës greke) në një protestë të pazakontë, e cila zgjati më shumë seç ishte parashikuar (1 orë).

Lajmi u konfirmua për News24, nga drejtori i kufirit, Ylber Zyberi. Forca të shumta policore monitoruan situatën në të dy anët e kufirit, për të shmangur një incident të mundshëm, ndërkohë që pati përforcim të kufirit. 

Drejtori i kufirit Ylber Zyberi bëri me dije se për shkak të protestës u bllokua puna në pikën kufitare të Kapshticës, dhe asnjë qytetar shqiptar nuk u lejua për të kaluar në tokën greke, me qëllim shmangien e një përplasjeje të mundshme. 

ZBARDHEN DETAJE NGA PROTESTA
Zbardhen detaje nga protesta e Agimit të Artë në pikën kufitare të Kapshticës mesditën e sotme. Burime jozyrtare greke konfirmojnë për Gazetaren e News24, Enkelejda Skënderasi se protesta ka ardhur për shkak të ngjarjeve që lidhen me kishën e Përmetit. “Na moret kishën ortodokse, dëboni emigrantët shqiptarë nga Greqia!”- mësohet se ka qene mesazhi i neonazisteve të Agimit të Artë gjatë protestës së sotme.
Një tjetër parrullë e hedhur gjatë kësaj proteste ka qenë: "Atje, atje, atje në Përmet flamurin grek do ngrejmë përsëri!"

Protesta u zhvillua për rreth 1 orë në tokën greke, ndërkohë që pati prezencë të shtuar të policisë greke dhe shqiptare në dy anët e kufirit. Pala shqiptare pezulloi punën për rreth një orë e 30 minuta me qëllim shmangien e incidenteve.

Agimi i Artë ka paralajmëruar protesta të tjera të së njëjtës natyrë me të njëjtin motiv.

EMIGRANTËT: NE NUK NA KRIJUAN PROBLEME
Emigrantët shqiptarë të cilët kanë mundur të kalojnë kufirin, rrëfyen për News24 se protesta e Agimit të Artë nuk i shkaktoi probleme.

“Kishte shumë forca policie, por ne nuk patëm probleme”, u shprehën emigrantët. Emigrantët deklaruan se nuk kanë informacion për arsyet e protestës.

“Radha e zakonshme, por nga kufiri deri këtej ishte e pazakontë”, u shpreh një tjetër emigrant.

“Pamë një grup policësh. Për mua nuk ka pse të jenë të gjithë ata polica në rrugë, mbase po ruajnë qetësinë, por pse na pengojnë tanët”, tha një emigrant.

“Erdhëm nga Lefkadha, dhe pamë një autobus me polic. Dëgjuam se do bëhej një protestë nga Agim i Artë” tha një zonjë.

“Pamë dy grumbullime policie, thamë cka ka ndodhur. Nuk na ngacmuan” tha një tjetër zonjë.

(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Proteston Agimi i Artë, bllokohet puna 1 orë e 30 min në Kapshticë FOTO: Agimi i Artë protestë në anën greke të kufirit, radhë në Kapshticë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›