E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencia e Mbikëqyrjes: 232 raste të referuara në Prokurori gjatë tetë muajve

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Eduard Merkaj u shpreh sot se, institucioni që ai drejton ka referuar në prokurori 232 raste me 287 autorë gjatë periudhës janar–31 gusht 2026.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Merkaj tha se me ligjin e ri, agjencia ndodhet në një fazë të re institucionale, pasi subjektet e mbikëqyrjes janë zgjeruar, duke përfshirë tashmë jo vetëm sistemin penitenciar, por edhe shërbimin e provës.

“Subjektet të cilët janë të parashikuara në ligj janë të gjithë punonjësit që punojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të gjithë të burgosurit, të gjithë punonjësit pranë Shërbimit të Provës dhe subjektet që janë pjesë e Shërbimit të Provës”, tha Merkaj.

Ai bëri të ditur se gjatë fazës tranzitore agjencia vijon zbatimin e akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të ligjit për shërbimin e kontrollit të brendshëm në sistemin e burgjeve.

Sipas Merkajt, në zbatim të ligjit të ri janë hartuar brenda afatit nëntë akte nënligjore, një prej të cilave është miratuar, ndërsa tetë të tjerat janë në pritje të marrjes së mendimeve nga institucionet përkatëse.

Sa i përket strukturës, Merkaj tha se aktualisht institucioni ka 70 punonjës dhe është propozuar një strukturë e re, me kërkesë për shtimin e 61 punonjësve të tjerë, në kushtet e zgjerimit të subjekteve që mbikëqyren.

Merkaj raportoi edhe për rastet e referuara në organet e prokurorisë gjatë vitit të kaluar.

“Gjatë vitit 2025, agjencia ka referuar pranë prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm 206 raste, me 187 autorë të proceduar penalisht. Prej tyre, 21 shtetas kanë qenë me masë arresti, ndërsa 166 janë proceduar në gjendje të lirë. Nga 187 autorët, 37 kanë qenë punonjës të sistemit të burgjeve, 127 të burgosur të proceduar dhe 23 familjarë”, tha ai.

“Ndërkohë, për periudhën janar–31 gusht 2026, agjencia ka referuar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe në Prokurorinë e Posaçme 232 raste me 287 autorë. Prej tyre, 74 janë punonjës të sistemit të burgjeve, 196 të burgosur dhe 17 familjarë. Në 23 raste është vendosur masa e arrestit në burg”, vijoi Merkaj.

Merkaj theksoi edhe rritjen e bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese, duke deklaruar se çdo informacion i siguruar nga agjencia komunikohet në rrugë shkresore me institucionet përkatëse.

Një tjetër drejtim i veprimtarisë së agjencisë lidhet me trajtimin e ankesave. Gjatë vitit 2026 janë trajtuar 1261 ankesa, të adresuara përmes linjës së gjelbër, në rrugë shkresore dhe drejtpërdrejt nga shtetasit.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, pyeti lidhur me procesin e digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve, si dhe për ekzistencën e një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve në agjenci.

Në përgjigje, Merkaj tha se agjencia nuk ka një sistem të menaxhimit të çështjeve.

“Duhet t’ju vë në dijeni, kjo agjenci ka qenë një drejtori e thjeshtë dhe funksiononte brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, tha Merkaj.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›