Nga pastrimi i parave te markat tregtare, Komisioni për Evropën miraton tre projektligje

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, miratoi sot tre projektligje, të shqyrtuara në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.
Komisioni shqyrtoi fillimisht projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ku ishin të pranishëm zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, si dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë.
Memeti prezantoi ndryshimet e propozuara, të cilat synojnë forcimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Relatori Ervin Hoxha theksoi se projektligji synon forcimin e integritetit, transparencës dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe ekonomik të vendit.
Në vijim, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025 ‘Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtes뒔, nismë e deputetes Bora Muzhaqi.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo.
Muzhaqi tha se ndryshimet synojnë përditësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e patentave, modeleve të përdorimit dhe certifikatave të mbrojtjes shtesë, si dhe përafrimin e tij me legjislacionin evropian.
Komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025 ‘Për markat tregtare’”, gjithashtu me nismë të deputetes Bora Muzhaqi.
Sipas nismëtares, ndryshimet synojnë përditësimin e kuadrit ligjor për markat tregtare dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e tyre, në përputhje me standardet evropiane në fushën e pronësisë industriale.
Në përfundim të diskutimeve, të tre projektligjet u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi.
/e.xh/a.f/r.e/