Agjenti që zbuloi Dritan Dajtin, ja dëshmia sekrete
Oficeri i parë i Policisë që ka zbuluar vendqëndrimin e Dritan Dajtit mëngjesin e 7 gushtit 2009 në Durrës, vetëm pak para se të ndodhte masakra ku u vranë 4 policë, dëshmoi dje te Krimet e Rënda.Po i njëjti agjent kishte prangosur Dajtin pas përleshjes me armë duke ia lidhur duart të kërkuarit me një kabllo elektrik të gjetur aty për aty. Oficeri B.G. ishte dëshmitari i radhës në procesin në ngarkim të të akuzuarit për vrasjen e katërfishtë, Dritan Dajti, si edhe dy të bashkëpandehurve të tij në proces, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça. Dëshmia është marrë në një seancë me dyer të mbyllura, për shkak strukturës sekrete GOS (Grupi i Operacioneve Speciale) të Policisë së Shtetit, në të cilën dëshmitari bën pjesë. Mësohet se B.G. ka rrëfyer dje se si ishte përballur rastësisht me Dritan Dajtin në rrugicën pranë Pistës Iliria në Durrës, lajmërimin e bazës, batarenë e plumbave në ngjarje e deri te bllokimi dhe prangosja e Dajtit. Dëshmia e oficerit ka vijuar për disa orë dje te Krimet e Rënda, por nuk ka përfunduar. Shkak është bërë ndërprerja e seancës me kërkesë të të pandehurit Dajti. I pandehuri ka pretenduar se nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore dhe ka kërkuar largimin nga seanca.
DËSHMIA
Burime të rezervuara pranë Gjykatës për Krimet e Rënda pohuan dje se dëshmitari B.G. ndodhej pranë plazhit të Durrësit mëngjesin e 7 gushtit 2009, pasi Dritan Dajti ishte lokalizuar se fshihej në këtë zonë. Pasi ishte lokalizuar se fshihej pranë Pistës Iliria, shkova të kërkoj një banesë me qira në atë zonë. Më parë më ishte treguar përshkrimi fizik i Dritan Dajtit, si edhe foto të tij dhe fakti që lëvizte me një automjet tip Touareg, mësohet të jetë shprehur dëshmitari. Sipas tij, mëngjesin e 7 gushtit ai ka shkuar pranë zonës së shenjëstruar dhe ka filluar të endet në kërkim të një banese me qira. Teksa po lëvizte nëpër lagje, ai ka vënë re automjetin Touareg duke ecur me ngadalë në një nga rrugicat pranë Pistës Iliria. Në automjetin që lëvizte me ngadalë, ishin dy persona para. Në ndenjësen e pasme arrita të shquaj një person që mbante në kokë kapele dhe syze dielli. E ndoqa me sy lëvizjen e automjetit, derisa ai u ndal në afërsi të një pallati, ka pohuar dëshmitari. Sipas tij, dy personat që ishin në ndenjësen e parme të automjetit, zbrisnin nga automjeti, njëherë njëri e më pas tjetri. Ndërsa personi i ulur prapa, qëndronte i palëvizshëm. Para gjykatës dëshmitari ka pohuar se pas këtij momenti ishte ulur në një kafe pranë automjetit, ndërsa kishte lajmëruar eprorët e tij në Tiranë. Sipas tij, përforcimet nga kryeqyteti kishin mbërritur shumë shpejt. Kur erdhën forcat tona, unë lëviza për një moment nga vendi. U futa në një rrugicë për të mos rënë në sy pranë vendit. Për pak, dëgjova disa të shtëna që vinin andej nga ishte automjeti. U ktheva dhe vrapova drejt tij. Gjeta një nga kolegët e mi të vrarë, mësohet të jetë shprehur dëshmitari. Sipas burimeve, dëshmitari ka treguar më pas edhe për momentin e arrestimit të të shumëkërkuarit Dajti. U afrova afër një personi të plagosur që po zvarritej dhe shante duke bërtitur. I bërtita: Ndal, policia! Ishte Dajti. I shtyva me këmbë një pistoletë që mbante në dorë dhe e kapa nga krahu. Nuk kisha pranga me vete dhe ia lidha duart me një kabllo elektrik të gjendur aty pranë. Në këto momente erdhi edhe një kolegu im që më ndihmoi, mësohet të jetë shprehur dëshmitari.
Armand Bajrami