E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Hyrja në Kuvend, çështje kohësh

Dritëro Agolli, një prej themeluesve të Partisë Socialiste, ka dhënë vlerësimet për zhvillimet e fundit në PS. Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli ka komentuar përgjegjësitë e humbjes së socialistëve për zgjedhjet e 28 qershorit, duke nënvizuar fillimisht se asnjë parti dhe koalicion nuk fitoi për të qeverisur vendin dhe duke e parë në këtë prizëm, nuk preferon ta konsiderojë Ramën humbës. Gjithashtu Agolli nuk pranon të hyjë në vendimet konkrete të PS-së, por jep mendimin se grupi parlamentar i kësaj force politike duhet të jetë pjesë e Parlamentit, pasi është vendi ku bëhet debati dhe merren vendimet e rëndësishme. Lidhur me faktin se a duhet apo jo të kthehet opozita në Parlament, shkrimtari Agolli pozicionohet duke thënë se "unë këtë nuk mund ta them, sepse janë strukturat e partisë që do të vendosin. Por, për mendimin tim, kjo parti është e domosdoshme për të shkojë në Parlament sepse nuk mund të merren vendimet e rëndësishme jashtë Parlamentit. Por mund të them se futja ose jo në Parlament e grupit të PS-së është punë kohe, është një kërkesë për të verifikuar edhe veten dhe për të ditur se vërtet janë bërë këto parregullsi dhe abuzime në votime, por marrja e vendimit nuk duhet të zgjasë shumë". Për zërat kundër, Agolli është shprehur se "mund të them me bindje se gjithmonë në Partinë Socialiste ka pasur zëra kundër, diskutime të tilla, polemika dhe tani është një polemikë e tillë pse PS-ja nuk fitoi. Por me thoni ju cila parti fitoi. Cili është metri që mat kush i fitoi dhe kush i humbi zgjedhjet, mund të thuash këtu se jam i humbur se mora disa vota me pak me këtë rezultat nuk mund të akuzosh se është Rama një humbës i madh apo PS-ja, sepse as demokratët nuk kanë fituar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›