“Agresion imazhesh dhe mesazhesh nga TikTok” – Rama: Fëmijët shënjestrohen nga algoritmi njësoj si rrjetet e shpërndarësve të drogës
Kryeministri Edi Rama, duke komentuar protestën studentore kundër tij që vijon prej një jave në Tiranë, theksoi se fëmijët përballen me një agresion imazhesh dhe mesazhesh në TikTok dhe platformat e tjera sociale.

Në një takim që po zhvillon me drejtuesit e gjimnazeve, Kryeministri Rama tha se të gjithë duhet të bëhen bashkë në një front të përbashkët për të luftuar atë që ai e cilësoi si “padije dramatike”. Ai shtoi se algoritmi i rrjeteve sociale i zgjedh të rinjtë sikurse rrjetet e shpërndarësve të drogës dhe i bëjnë të varur e të shkëputur nga realiteti.
“Kur kam parë pamjet që vandalizonin librin e Gjergj Fishtës nuk kam pasur asnjë ndjesi tjetër përveç ndjesisë së shqetësimit të madh, që shkon përtej faktit që një grusht adoleshentësh po dhunonin një simbol kuptimplotë të kulturës dhe historisë së vendit tonë. Kjo do të thotë që, sipas meje, ata as nuk e dinë se kush është Gjergj Fishta.
Kjo është një arsye që ne të gjithë të reflektojmë mbi këtë padije dramatike në një kohë kur jemi në një front të përbashkët, mësues, drejtues shkollash, prindër, institucione arsimore, shoqëri, në një front të përbashkët për të kompensuar agresionin e imazheve dhe mesazheve të përminutshme që fëmijët marrin nga Tiktok dhe platformat e tjera ku tanimë janë bërë pjesë e një jete paralele, në të cilin kujtojnë se zgjedhin por në fakt algoritmi i zgjedh dhe shënjestron njësoj si rrjetet e shpërndarësve të drogës, që i çojnë në mënyrë të vazhdueshme tek varësia nga diçka që i ndan nga realiteti.
Lavdi Zotit, pjesa më e madhe e nxënësve është një pjesë e shëndoshë, por rreziku që kjo pjesë tjetër po shkëputet për arsye të çfarëdollojshme të bëhet pjesë gjithnjë e më e madhe është rrezik real dhe aktual, me të cilën ne të gjithë duhet të përballemi. Kemi nevojë që të bëjmë një reflektim të gjithë së bashku, duke u mbështetur në radhë të parë tek ju dhe eksperienca juaj.”, tha ai.