E Martë, 3 Nëntor 2026

Agresioni rus ndaj Poltavës në Ukrainë, aleatët: Putin duhet të mbajë përgjegjësi

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar aktin e agresionit rus në qytetin e Poltavës në Ukrainë. Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se “mendimet tona shkojnë te të gjitha viktimat dhe të dashurit e tyre. Qëndrojmë me Ukrainën”

Ndërkohë Gjermania thotë se brutaliteti i Vladimir Putin “nuk njeh kufij”.

“Putin duhet të mbahet përgjegjës”, ka deklaruar thotë ministrja e Jashtme Annalena Baerbock.

Ndërkohë numri i të vrarëve në sulmin rus në këtë qytet ka shkuar në 51. Numrin e viktimave e ka bërë të ditur zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas. Ndërsa kreu rajonal i Poltavës, Philip Pronin, duke folur për mediat ukrainase ka theksuar përveç të vrarëve nga sulmi kanë mbetur të plagosur 235 persona.

Ai shpjegon se 15 persona të tjerë besohet se janë ende të bllokuar nën rrënoja.

Gjithashtu, edhe SHBA ka dënuar sulmin e Rusisë në Poltava, duke thënë se kjo tregon nevojën për të forcuar urgjentisht mbrojtjen ajrore të Kievit.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, u tha gazetarëve se sulmi është “një tjetër kujtim i tmerrshëm” i “brutalitetit të presidentit rus Vladimir Putin ndaj popullit të Ukrainës”.

SHBA- e cila ka dërguar dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe financiare në Ukrainë që nga viti 2022 – ka konfirmuar se do të dërgojë më shumë ndihma ushtarake në Ukrainë në javët e ardhshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›