Agroturizmet në Krujë, Denaj: Destinacione të shijes autentike shqiptare

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Kruja, përtej asaj që është kthyer sot në një destinacion të turizmit historiko-kulturor, po njeh fluks në rritje të turistëve vendas dhe të huaj që po nxitet edhe nga investimet në sektorin e agroturizmit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjetet sociale historinë e investimit të familjes Bardhi.
“Ky agroturizëm i ngritur mes madhështisë së Kalasë së Krujës, është destinacioni që lidh përvojën e së kaluarës dhe të tashmes përmes shijes autentike shqiptare”, shkroi Denaj.
Ministrja tha se, me një mikpritje të ngrohtë dhe përkushtim të veçantë deri në detaje, ky agroturizëm ofron për vizitorët vendas e të huaj produkte cilësore “Made in Albania”, nga ferma në tavolinë, duke nxitur rritjen e ekonomisë lokale dhe punësimin në zonë.
Djali i familjes Bardhi tregoi se si nisi ky investim, fillimisht për ngritjen e fermës blegtorale, me pas me ndërtimin e serrave, ku prodhohen të gjitha llojet e perimeve, ngritjen e vreshtave dhe ndërtimin e kantinës së verës dhe deri në investimin për ngritjen e njësive akomoduese, që e kanë kthyer këtë investim në një sipërmarrje agroturistike me të gjithë elementët përkatës.
Ai tregon se vizitorët e shumtë kanë interes të njohin zonën, por edhe të shijojnë kulinarinë, që ofron ushqime dhe gatime cilësore me produkte të fermës familjare.
“Turistët pothuajse vijnë nga e gjithë bota. Puna sa vjen e shtohet. Kjo punë do pasion brenda, për ta realizuar siç duhet. Këtu produktet janë 100% bio.”
“Për shkak të fluksit të lartë të turistëve, ne po bashkëpunojmë edhe me fermerë të zonës për furnizimin me prodhime bujqësore, që janë 100% të zonës së Krujës dhe janë shumë cilësore e organike”, tha ai.
Agroturizëm në Krujë 1 nga 3/a.f/r.e/