Agroturizmi, trendi më modern në ekonominë shqiptare

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bujtinave në Lezhë. Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë që po shtohen bujtinat në këtë zonë, duke u shprehur se ajo që po bëjnë ata këtu quhet trend. “Ky është trendi më modern në ekonominë shqiptare sipas meje dhe jo vetëm në ekonominë rurale, por në ekonominë shqiptare”, tha Kryeministri Rama.
“Agroturizmi që ne më në fund arritëm ta penetrojmë deri diku në mendjen e shumë njerëzve në zonat rurale, është një industri me të ardhme të jashtëzakonshme në Shqipëri, për të gjithë ata që investojnë, por edhe për ekonominë tonë”, theksoi Kryeministri Rama.
“Çdo emigrant shqiptar që ka një tokë, një shtëpi të gjyshit, apo një histori familjare në Shqipërinë rurale dhe sidomos në zonat pak më të thella, si këtu, sesa fushat me të cilat jemi mësuar ne që fusha është bujqësia, nëse investojnë kursimet e tyre tek ky aset, nuk diskutohet që fitojnë më shumë sesa paga nga puna si të punësuar në një çfarëdo pune atje”, tha Kryeministri Rama.
“Është absolutisht e vërtetë që fitimet këtu shkojnë duke u rritur. Dhe nuk diskutohet që edhe deklarimet shkojnë duke u përmirësuar. Tani do fusim dhe sistemin e fiskalizimit që do të jetë e gjitha online kështu që aty pastaj do dalin kush është kush komplet në këtë histori”.
Rama rikonfirmoi respektin dhe mbështetjen ndaj tyre si dhe vendosjen e theksit edhe më të fortë në këtë fushë gjatë mandatit të tretë.
“Do vendosim një theks edhe më të fortë sepse tani kemi shumë shembuj sepse na është dashur të ndërtojmë shembuj se s’kishim. Ishin si pika uji në shkretëtirë. Restorante ka pasur, patjetër, por jo luks rural. Ky është luks rural. Luks rural për njerëzit e zakonshëm”, tha Kryeministri Rama.
Altin Prenga, i Mrizit të Zanave tha se “ka qenë një periudhë me pikëpyetje prej pandemisë. Nuk kemi pasur kurajon për të marrë iniciativa të tilla, por e kemi ëndërr të zbatojmë edhe atë me shpresën që të hapet edhe bota. Për momentin e mendoj se disa sipërmarrje këtu e kemi kaluar më mirë se sipërmarrje të tjera”.
Prenga i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Rama për rehabilitimin e rrugës kryesore.
“Po bëhet një punë shumë e mirë dhe po bëhet edhe rruga e Troshanit, është optimizëm për banorët që kanë vendosur të jetojnë në fshat dhe të merren me bujqësi. Kemi akoma problem punën e dritave, shpresojmë ta zgjidhim sa më shpejt edhe atë që në Fishtë e Blinisht të bëhen me kabllorë”, tha ai.