E Diel, 1 Nëntor 2026

Agustin Kola: Nuk do të zhgenjej njeri

Tiranë (Start) - Agustin Kola pas prezantimit zyrtar në stolin e Tiranës zhvilloi dje stërvitjen e parë në kompleksin “Skënder Halili”. Ish-legjenda e futbollit bardheblu dukej tepër optimist për detyrën e re. Pas prezantimit edhe me lojtarët ai deklaroi për mediat se nuk është aspak i trembur për detyrën e vështirë, duke falenderuar për këtë drejtuesit e klubit për besimin që i kanë dhënë.

“Ndihem mirë, sepse nuk po shkel në një tokë të re, -deklaroi Kola. Përgjegjësia është e madhe por unë jam i qetë në detyrën që kam marrë përsipër. I siguroj të gjithë se nuk do të zhgënjej njeri”.

Tekniku i bardhebluve, ndrysha nga ç’mendonin disa se Tirana ka nevojë për ndërhyrje në merkato, është shprehur se ky ekip ka një grup të plotë, dhe se ndërhyrjet janë të panevojshme. Agustin Kola thuri elozhe edhe për paraardhësin e tij, Blaze Slishkoviç, duke deklaruar se kroati e ka lënë skuadrën në topformë. Kola do të bëjë sot debutimin e tij të parë në përballjen me Apoloninë në kryeqytet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›