E Diel, 1 Nëntor 2026

Ah, Vlora! Po pse i voton, o budalla?!

Si çdo vit, ne takëmi i ‘turisteve’ të brendapërbrendshëm që s’para e tradhtojmë atdheun edhe pak për shkak mundësish fi nanciare,edhe pak për shkak të bindjeve mbi turizmin patriotik, së bashku me familjet tona marrim rrugën për në bregdet, rëndom në jugun e preferuar të Jonit i cili fillon në Vlorë, pas tunelit. Ky breg, shumicës së shqiptarëve i është bërë i njohur si kurmi i një të dashure të vjetër. Megjithëse ne prindërit çoç kemi ca raste të herëpashershme që të udhëtojmë gjatë vitit për shkak të punëve të ndryshme të biznesit a tregtisë, një udhëtim i tillë familjar en bloc shërben për të bërë një analizë meditative ose edhe verbale me anëtarët e tjerë të familjes të cilët kanë rast të lëvizin më rrallë nëpër rrugët e atdheut tonë, duke bërë kësisoj një bilanc mbi ndryshimet dhe efikasitetin e qeverive të derisotme. Është deti ai që na jep rastin që nga çdo anë e trojeve shqiptare këto vende, qytete dhe rrugë t'i vëzhgojnë të gjithë udhëtarët e të shpalosin përshtypjet e tyre mbi ecurinë e Shqipërisë së tyre të dashur. Natyrisht që këto përshtypje kanë një sistem referimi. Ata që janë me këmbë në tokë dhe që e dinë se si kanë qenë rrugët e qytetet e Shqipërisë dhe bregdeti ynë para viteve '90 dhe e shohin ndryshimin e tablosë në segmentin e këtyre 22 vjetëve kapitalizëm të vendit tonë, janë më afër realitetit kur analizojnë diferencat për mirë apo për keq në cilësinë e udhëtimit, të shërbimit dhe të kushteve gjatë pushimeve, të ujit të detit, të mikpritjes prej banorëve vendas, aktiviteteve të organizuara nga pushteti lokal, nga agjencitë e ndryshme, koncertet dhe relaksi aktiv sipas grupmoshave, shkalla e ndotjes së mjedisit dhe ndotjes akustike, etj. Ka turistë të tjerë shqiptarë që vijnë të freskët nga emigracioni ose që kanë qenë disa vite jashtë, të cilët analizojnë edhe ata me sisteme të tjera referimi gjendjen e këtushme. Natyrisht që këta kanë të tjera standarde perëndimore si objektiv dhe mund të mos jenë edhe shumë me këmbë në tokë lidhur me kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre. Dëgjojmë disa sosh të cilët nxjerrin gjuhën kur ne iu tregojmë rrugë e infrastrukturë me të cilën mund të mburremi; kur iu tregojmë "Rrugën e Kombit" me mburrje, disa miq të mitë të afërt të ardhur nga emigrimi i gjatë në SHBA më nxjerrin gjuhën dhe gajasen duke fryrë bulçimat, kur më thonë se rrugë dhe tunele të tilla janë hapur pas cunameve në SHBA për disa muaj mbi det; madje me një cilësi shumë më të mirë e më të gjera. Gjithsesi, mendoj se gjykimi i realitetit tonë qëndron diku në mes të këtyre dy gjykimeve. A është bërë punë këto 22 vjet në këto drejtime? A ka përmirësime të situatës në lidhje me disa nga ato që përmendëm më lart në krahasim me situatën para viteve '90? A ka pasur mundësi për më mirë dhe për më shumë ecje në drejtimin pozitiv? Përgjigjja e të dyja këtyre pyetjeve, - për këtë besoj se biem dakord edhe me shumicën e lexuesve, - është "PO!". A ka disa çështje për të cilat është ecur si gaforrja? Përsëri, sigurisht që po!

Të përpiqemi të argumentojmë duke ecur së bashku e duke e filluar me rrugët kombëtare që të çojnë drejt deteve, të cilat këto vjetët e fundit i komandon njëri nga ministrat më megalomanë dhe të fryrë në ecje, vështrim e fjalosje - por edhe ndër më besnikët e bandës së Kryeministrit tonë, i cili s'para e ka qejf të ketë pranë shumë fytyra të ndryshme - Sokol Olldashi. Ky së bashku me z.Astrit Patozi janë nga takëmi i gazetarëve kamikazë blu që për interes të partisë kanë ulëritur kushedi se sa herë si kryetari i tyre në kor, 'Po, po, fluturon gomari'. Ky ministër që shfrytëzohet gjysmë i dehur si krah i fortë dhe racional sa herë që në skenën politike bubullijnë rrufe si ato të 21 janarit, apo që shkon të përplaset me 'vezë të forta rozë' si përplasja me ish-ministrin A.Duka në Shijak, me z.Rama në betejën për Kryebashkiak (ku z.Berisha e shiti si një 'kamikaz të vogël por të superfryrë' për t'i marrë Ramës zgjedhjet e 2009-ës), tash e ka të vështirë që të dalë e të mburret para shqiptarëve për rrugët, sidomos për rrugët nacionale. Jo se nuk është punuar fare, por sepse është vjedhur shumë dhe z.Olldashi e Kryeministri i tij kanë një armik të madh me ne gjyhnaqarët e vegjël, që të mundin ende të gënjejnë: Ata kanë kundër kohën e gjatë të qëndrimit në pushtet, ata kanë kundër panoramën e gënjeshtërt që iu tregojnë shumicës së qytetarëve sikur kanë bërë mrekullira me rrugët (shumica e të cilave e kanë ngritur shumë borxhin e huaj). Minarja e keqe e rrugëve të z.Berisha dhe z.Olldashi, nuk mund të futet në thesin e tyre të shqyer nga pesha e propagandës dhe gënjeshtrave! Këtë, të paktën një herë në vit, kanë mundësi ta verifikojnë shumica e shqiptarëve me mundësi të pakta për të bërë turizëm jashtë atdheut. Sepse 4% e shtresës së dalë kryesisht nga ish- PPSH-ja komuniste - që zotëron pasuritë e 60% të shqiptarëve - prej projektit të Katovicës edhe prej PS edhe prej PD, i bën pushimet në Turqi, Zvicër, Spanjë, Itali a gjetiu. Por të mos dalim nga tema e rrugëve tona të dashura për të cilat del e flet gjithnjë e më rrallë e me më pak besim në bëmat e tij të larta, Olldashi, zëdhënësi i 'Zeusit' të PD-së, me atë frazë të thukët e me një zë që përpiqet ta trashë duke i futur rrokjet brenda gurmazit, me ca fjalë që nuk ia fshehin dot të folurën prej thuthuqi, këtij burri të rritur, të folurën si të një fëmije të vogël që sa po i dalin dhëmbët. Kur shoh këta të dy më kujtohen fjalët e të madhit Ali Asllani për disa politikanë servilë me të huajt që kundër shqiptarëve "iu rritet hunda sa katër sqepa". Ta fillojmë me rrugën Golem - rrethrrotullimi i rrugës së Lushnjës me atë të Rrogozhinës. A ka nevojë të flas që edhe kaq pak kilometra këta s'i kanë mbyllur dot për tetë vjet, anipse e kanë bërë gjoksin me vrimë nga mburrja? Në disa nyje të saj duhet ulur shpejtësia dhe rruga ka bllokime e këto anomali janë edhe burim aksidentesh. Natyrisht qe ka zëra që thonë për aksidentet në rrugë se këta po 'i vret ala Enveri' i cili nuk ndërtoi më shumë rrugë e më me cilësi pasi u vetizolua dhe i zhvendosi shpenzimet më të shumta në fushën e mbrojtjes, nisur edhe nga frika prej rrugëve të mira e të drejta se ato mund të ndihmonin në avancimin e shpejtë prej agresorëve të mundshëm armiq. Por, në fakt, shumicën e atyre që kanë përgjakur rrugët e vendit nuk i ka vrarë vetëm 'Enveri', por i kanë vrarë edhe xhepat e mbushura të qeveritarëve tanë, apo edhe paaftësia e tyre për të amvisuar situatën me kompanitë private sipërmarrëse (të cilave ende nuk iu është disbursuar fondi i kontraktuar nga kjo qeveri kaçake e me oreks të madh për investime kapitale, çka ka shkatërruar edhe disa rrugë të vjetra normale). A duhet të flasim për mungesën e 7-8 mbikalimeve të thjeshta në segmentet Gosë-Lushnjë-Fier që bëhen shkaqe për aksidente të rënda dhe vështirësojnë hyrjet drejt detit në disa pika? A ia vlen të flasim për hyrjen dhe daljen e Fierit deri në Levan? Kjo pjesë është një skëterrë për pushuesit sot në vitin 2012 dhe në vitin e 14-të që sundon S.Berisha në këto 22 vjet, i cili la lopën e PPSH-së që po ngordhte dhe zuri një nga dy mëshqerrat e saj, PD-në, për t'ia mjelë qumështin që bën me kullotën e barit të të gjithë livadhit të shqiptarëve.

Tani të lëmë rrugët dhe si turistë të brendshëm të shohim Vlorën. Kur hyn në këtë qytet të sunduar nga boshësia e së majtës në pushtetin lokal, pas fjalëve të bukura që thotë në çdo fushatë z.Sh.Gjika, kryetari fytyrëkuq i bashkisë së saj (që zor se ha ndonjë herë peshk ose pulë në menynë e vet), habitesh me demagogjinë e tij si dhe me namatisjen që iu bën vlonjatëve për herë të tretë. Një demagog i tillë në një vend tjetër, me banorë që kanë dy pare mend në kokë, natyrisht që do të kishte ngrënë ca vezë a domate kokës dhe s'do të kishte guxuar t'i mashtronte njerëzit dy herë. Vlora e mbështjellë nën një tis pluhuri të rrugëve duket si Alepo në luftë a si ndonjë qytet në shkretëtirë e jo buzë detit. Sidomos kur shkon nga Kompleksi Riviera e deri tek Hotel Liro, ajo ngjan shumë me Kabulin. Pas tre mandatesh, ky demagog me buzët në formë M-je vërtet që ta shpif me mefshtësinë e korrupsionin e tij të vetëkuptueshëm. Janë me qindra biznese shumë fitimprurëse që kontribuojnë në financat e pushtetit lokal në atë zonë, me aktivitet dhjetravjeçar dhe ky i pafytyrë s'ndërton një rrugë të lirshme e me trotuare moderne në këtë segment 2-3 km të gjatë ku vuajnë aq shumë prej vitesh këmbësorët dhe automjetet?! Dikush tjetër mund ta bënte një rrugë të shkëlqyer mbi det në disa vende pranë ujit të ftohtë, madje edhe prej floriri. Nuk ndërton dot kjo bashki e artë një rrugë për këmbësorët e bregut të detit deri te vija e verdhë e qytetit të cilin e ka në komandë?! Sa herë që shkoj këto vjetët e fundit dhe shikoj në këtë zonë disa trotuare të 'rinuara' me beton të shurdhuar nga ai që përdorej në kohën e osmanëve, se pse më kujtohen disa vargje të grushtit të munguar të Migjenit për këtë të paudhë që guxon e bën protagonistin e modelin në takimet e pushtetarëve lokalë. "E votuam se demokratët na dhanë si kandidat një berishjan të neveritshëm, ish-komunist ekstremist nga origjina familjare (thonë kështu për gjyshin e Ardian Kollozit në Vlorë, i cili ka qenë me grupet e pushkatimit të nacionalistëve) dhe hajdut me çizme. Midis këtyre dy të këqijave gjeli me mustaqe ishte një e keqe më e vogël", - më thoshte dikush nga shitësit aty pari që ankohej për mefshtësinë e Bashkisë në atë gjendje mjerane, kur unë e pyesja se "Përse e votove Gjikën?". Ndërsa Kryeministri ynë, i cili ka humbur kontrollin mbi territorin e Republikës si Kryetar i KRTRSH-së, bën beli që është një anarshist dhe ideator i vazhdimit të shkatërrimit të perspektivës së turizmit detar me invadime të tipit 'Bathore'. Turizmi s'ka nevojë për demagogji dhe as për një nxitim të tipit 'Berisha', në çdo hap. Turizmi detar ka nevojë për studime moderne, për zbatim të rreptë të ligjit, akoma sa nuk është vonë. Nga të dyja anët e rrugës së mjerë nacionale mbas Tunelit (nuk po flas për rrugën mbi këtë Tunel nga Shkolla Tregtare se do të nxjerr zorrët dhe nuk kam se çfarë të shtoj gjë tjetër të mirë për "gjelin me mustaqe" të Bashkisë) ka ndërtime që kanë mbirë si kërpudhat pa ndonjë plan studimi, duke bastarduar mundësinë e një turizmi elitar në të ardhmen, të një turizmi kompetitiv në rajonin tonë. Këtë gjë e konstaton pa qenë specialist i fushës deri në Orikum, ku në mënyrë të çuditshme ndërpritet vija e turizmit dhe ashtu si në kohën e diktaturës, një forcë enigmatike e çuditshme, por e kudondodhur, nuk lejon ndërtime e turizëm në Karaburun dhe në Sazan. Më kujtohen fjalët e Zheleznovit për kafshimin e Evropës nga ky dhëmb në një film butaforik të Kinostudios komuniste. Madje edhe gjermanët në Luftën e Dytë e 'pushtuan' vendin tonë vetëm për të mos u kafshuar nga Otrantoja. Ndërsa shtetet e tjera kanë të zhvilluar shumë turizmin nëpër ishuj, ne shqiptarët nuk e njohim Sazanin, aq sa çdo vit pyes veten nëse RSH ka sovranitet apo jo mbi Karaburunin dhe Sazanin, apo ndonjë ditë, ndonjë Kryeministër palaço si Berisha do të dalë dhe do t'ua japë këta krahë të artë të Portës së Otrantos, italianëve? Përse Kryeministri ynë prozaik e hera-herës i padurueshëm në të gjitha ekranet nuk shkon të promovojë Gjirin e Gramës a të Dafinës në Karaburun e të tregojë si amator i pështirë i stilit krol të notit me kokë jashtë, se sa qëndron në ujë duke ua kaluar edhe grave të dërstilës që lajnë lëveret nëpër pellgje të ftohta burimesh deri mbi gjunjë për javë të tëra? Përse ai nuk nxit turizmin dhe investimet në Sazan duke shkuar atje e t'u tregojë shqiptarëve se çfarë brigjesh të shkëlqyera ka aty për turizëm detar e kodrinor dhe se ato toka janë po aq shqiptare sa edhe Tropoja e tij? "Eh moj Shqypni e mjera Shqypni! Kush t'ka qit me krye n'hi?".
Të gjithë kryeministrat e qeveritë tona e kanë përcaktuar turizmin si një mundësi e mirë të ardhurash valute të huaj. Por në fakt ky turizëm i premtuar nuk po rezulton i tillë. Më tepër në turizmin bregdetar po përthithen fondet e kursimeve të shqiptarëve të shtresave të mesme nga të gjitha trevat (por z.Berisha, emigrantët dhe shqiptarët jo rezidentë brenda kufirit të RSH i quan turistë të huaj dhe të ardhurat prej tyre i quan dhjamë nga kau i botës) dhe remitancat e emigrantëve të cilët një pjesë të këtyre i shpenzojnë për turizëm detar. Kurse ajo 4% e popullsisë e lidhur me PD&PS gjatë këtyre 22 vjetëve e që zotëron mbi 60% të pasurive (më saktë të kursimeve financiare bankare) kombëtare, shpenzon në turizëm elitar jashtë vendit gati po aq sa ç'shpenzohen nga turistët me kombësi të huaj te ne dhe bilanci midis valutës që del dhe asaj që hyn është gati zero, pikërisht për shkak të mungesës së turizmit elitar në vendin tonë, i cili nëse do të ishte vërtet elitar, do të mbante këtu edhe shpenzimet e kësaj pjese prej 4% të shqiptarëve, edhe do të rriste numrin e turistëve me kombësi të huaj. Këtu nuk po llogarisim shpenzimet e shqiptarëve jashtë territorit politik si të ardhura valutore nga turistët e huaj sepse këto të holla janë hequr nga ekonomia e shqiptarëve, pavarësisht se ku ndodhen ata. Dihet nga një studim i organeve të specializuara se Toka e cila çdo 71 vjet ndryshon me 1 gradë aksin e saj për shkak të orientimit ndaj qendrës Alcyne të sistemit tonë Plejades, po ndryshon rrymat bazë që mbajnë ekosistemin në Veri të planetit: Rryma Golfstream dhe ajo e Labradorit. Ka gjasa, sipas këtij studimi, që vetëm fashat 31-34 gradë gjerësi gjeografike, ku bëjmë pjesë edhe ne, të ruajnë klimën pak a shumë të pandryshueshme: Ekuadori do të nxehet dhe veriu do të ftohet më shumë. Të ndodhur në një brez kaq të lakmuar nga banorët e pasur të veriut të Evropës, ne shqiptarët nuk e dimë se çfarë pasurie të begatë na ka dhënë Zoti me këtë vijë bregdetare. Ndoshta këtë e di mirë Kryeministri ynë, i cili së bashku me familjen e tij, siç thuhet, jo vetëm në këtë zonë të bregdetit pranë Orikumit, por edhe më afër Tiranës e Durrësit, po i kushton rëndësi posedimit të territoreve të gjera nga tokat bregdetare.

Pas gjithë kësaj gjendjeje alarmuese dhe shkatërrimit edhe të florës e faunës së maleve pranë bregdetit për shkak të mungesës së reagimit të shtetit ndaj zjarrvënësve, më tepër se sa zhvillim, duhet të na marrë të qarët me punën e keqe të të gjitha qeverive dhe pushtetit lokal. Në këtë shkrim, në mënyrë pak a shumë simetrike, ndoshta edhe më keq, mund të flisnim edhe për bregdetin nga këmba jugore e Llogarasë e deri në Ksamil apo mbi Divjakë e deri në Bunë. Ngado shohim rërë të zaptuar me forcë ku nuk lejohen 45% e qytetarëve me të ardhura deri në 2$ në ditë të Shqipërisë berishiano-metiste (jua kini parë vilat madhështore me kosto mbi 350 mijë Euro disa prej politikanëve me të ardhura zyrtare familjare jo më shumë se 1,700 Euro në muaj?) të shtrihen pa paguar shezlongët e çadrat e tyre që t'i ofrojnë me dhunë kundrejt pagesave të papërballueshme prej tyre; shohim hera-herës një mafie bregdetare që investon për të pastruar paratë e grumbulluara në të zezë nga korrupsioni qeveritar, nga kontrabanda, vjedhja e konsumatorëve ose në rrugë kriminale (nuk përjashtohen edhe raste normale e legjitime investimesh). Ky është turizmi ynë rozë e blu. Pyetja që shtrohet edhe ndaj vetes për këto dy parti të dala nga e njëjta mitër e përgjakur e PPSH-së (PD&PS), që krahas shumë veprimeve të ngjashme kanë shkatërruar edhe turizmin, këtë aset të madh të ekzistencës së kombit, është si me shitësin vlonjat: "Po pse i voton, o budalla?!".

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›