E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aheng qeveritar dhe homazh kundër gjakmarrjes!

Gjergj Marku

Në pak orë ngjitas kanë ndodhur dy gjëra krejt të ndryshme në Tiranën tonë të madhe; njëra tek Sofra e Ariut, dhe tjetra mu përballë Piramidës. Në të parën, tek Sofra, e tundën me këngë, valle e verë Skënderbeu (e zgjedhur tamam për një rast të tillë!) për Nishanin, të nderuarin president rishtar; ndërsa në të dytën, aktivistë të shoqërisë civile organizuan tubimin-homazh kundër fenomenit të gjakmarrjes, me portretin e vajzës më të pafajshme në këtë truall, Maries 17-vjeçare, jeta e të cilës u pre në mes së bashku me gjyshin e saj 70-vjeçar, nga plumbat e hasmit. Në eventin e parë knuen, kërcyen, pinë dhe hëngrën dengshëm me tana të mirat, deputetë të sojsojshëm e deri tek udhëheqsia ma e naltë, kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit, natyrisht me dhëndrin në krye të odës!…

Nuk di përse, në atë dalldi dehëse tek Sofra… (pjesën e dytë të frikshme … e ariut), mu feks Maria e maleve, nuse e bukur me xhubletën e zonës, aq e hijshme dhe me fytyrë engjëllore. Dukej se lart nga qielli, Maria e urtë ëndërrimtare e maleve, me pafajësinë, me dëlirësinë, me ëndërrën e mirësinë e saj, nuk donte ta trazonte gjithë atë aheng mbretëror dinak dhe cinik. Maria, dukej si tua kishte lënë amanet dhe atyre shqiptarëve që thuajse në të njëjtën kohë, ndiznin nga një qiri për shpirtin e bardhë të përjetshëm të saj, që të mos ua prishnin terezinë mbretnorëve. Le të gëzonin ata, të kërcenin, të gajaseshin, të vinin e hiqnin maskat së paku në moment dalldie kërcimi apo të piri. Ajo kishte ikur nga kjo jetë, edhe për hatër të atyre, të atij ahengu në mes të Tiranës, në gji të Sofrës së Ariut, për ti lënë të patrazuar në kënaqësinë e tyre makbethiane.

Maria nuk deshi kurrë në jetë të saj ti prishte ndokujt gëzimin, ndaj u shuajt ashtu pa zë, ndaj dhe njerëzia e thjeshtë, e përcollën ashtu thjesht, pa bujë, siç deshi ajo, me një meditim, një lule, një qiri të ndezur për shpirtin e saj të bardhë përjetshëm.

E di që kjo përcjellje shpejt do të harrohet, dhe mbase ndonjë Marie tjetër mund të jetë në pritë të pushkës vrastare, por ahengu qeveritar nuk do mund të harrohet lehtë sepse mbretnorët do ti shohim duke u çjerrë nëpër tribuna, në Parlament, nëpër ekrane dhe sheshe mitingjesh sot, nesër, pasnesër! Ashtu si tek tragjedia makbethiane, me siguri ahengjet qeveritare do të vazhdojnë, ndoshta radhën tjetër tek Guva e qetë apo tek Goja e ujkut.mbase për të vrarë natën dhe për të qarë ditën, shpresën dhe ëndrrën e Marieve shqiptare!

 

 

 

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›