E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuptimi shqiptar i votës greke

Ka një lajm të mirë dhe një të keq për Ballkanin. I keqi është se fi toi Antonio Samaras i Demokracisë së Re. Si politikan, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë ...nuk mbahet mend për ndërtimin e urave me fqinjët. Në takimet me ta, më kollaj hidhte mbi tavolinë dinamitin se projektet e afrimit. Si individualitet politik, ka lënë shijen e njeriu ambicioz, që në të shkuarën e tij nuk ka nguruar të shkelë mbi mentorin e tij të dikurshëm Micotaqis, dhe t'i silurojë vajzën Dora, kur e pati në dorë. Ish - shok dhome i Papandreut të ri, nuk tregoi aspak luajalitet për mikun e dikurshëm kur ky qeveriste. Ishte e kuptueshme duke pasur parasysh se kërkonte edhe vetë pushtetin dhe çfarë janë gati të bëjnë ballkanasit për të. Por e bëri me kosto për vendin, vetëm me synimin të kapte postin. Lajmi i mirë është se shumica e grekëve votuan për partitë që do mbajnë vendin në zonën euro. Dhe kjo vlen për Greqinë dhe Ballkanin, veçanërisht për vende të rajonit si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, ku dalja e Greqisë nga Euro, do ishte inkurajim për forcat centrifugale në BE, rrjedhimisht inkurajim për autoritaristët që janë në udhëheqje në këto vende.

Ende ekzistojnë opinione që përkrahnin daljen e Greqisë nga zona euro, të mbartura nga teknicienë. Shumica tjetër mbështeste qëndrimin brenda, pasi dalja do sillte humbjen e mbështetjes europiane dhe zhvillime të pa parashikuara me skenarë apokaliptikë politikë dhe ekonomikë. Brukselit bëri thirrje për përgjegjësi; Anxhela Merkel, që është në timonin e lokomotivës që tërheq Europën, kërkoi maturi. Dhe grekët i dhanë shans vetes dhe Europës duke lënë në pritje tigrin e kuq Alexis Tsipras.

Por ky është vetëm armëpushim. Drama trevjeçare greke është paralajmërim ndaj burokracisë nordike të BE-së. Kjo Europë kështu siç është ndërtuar, nuk funksionon. Ristrukturimi i saj dhe rivlerësimi i vendeve pjesëmarrëse në rastin më të parë të mundshëm, e ka kërkuar vetë kryeministri italian Mario Monti. Dhe Monti, vetëm si anti-europian nuk mund të dyshohet. Një BE e cila udhëhiqet nga boshti franko-gjerman; Anglia shikon gjithë dyshim nga përtej La Manshit; Italia nuk është aspak e kënaqur me rolin që ka, dhe vendet limitrofe konsiderohen për shtrirjen gjeografike që i japin bashkimit, por nuk merren seriozisht në vendimmarrje duket më tepër si treg se shoqëri kombesh të barabarta, siç ishte ideja e etërve themelues. Sarkozija, ngjante shumë i merakosur për imazhin e tij, ndërsa Merkel e preokupuar për mbarëvajtjen e ekonomisë gjermane. I pari lodhi francezët. E dyta, ju ka ngjallur dyshimet europianëve se mos çizmja e Wermahtit, është zëvendësuar nga jakat e bardha të Dojçe Bank dhe Wolksvagen-it. Merkel, ka mbetur e vetme në timonin e Europës, pasi ortaku humbi në zgjedhje, dhe kjo nuk ngjall siguri tek anëtarët e klubit. Pavarësisht se trashëgoi partinë e Helmut Kohl-it, nuk është në gjendje të rrezatojë europianizmin e tij.
Të paktë ishin ata që e diagnostikuan problemin e madh të çështjes greke dhe difektozitetin e mekanizmit aktual europian, përjashto europianistë të mëdhenj si ish - kryeministri dhe presidenti portugez Mario Soares. Prosperiteti ekonomik ka sjellë mbivlerësimin e teknicienëve dhe sfumimin e ideologjisë dhe solidaritetit që ishin baza e këtij bashkimi në themelimin e tij. Besohet se monedha e përbashkët do ta frymëzojë përparimin e unifikimit të shteteve. Por paraja përpara se të jetë mjet shkëmbimi, është armë politike. Paraja, përveç mekanizëm financiar, si shpirt të saj ka frymën politike që mbart. Jo më kot çdo perandor apo mbret, të parën gjë që bënte kur ulej në fron, ishte shtypja e monedhave me portretin e tij. Edhe me daljen e shteteve kombëtare, hapi i parë që ndërmerret është shtypja e monedhës kombëtare si mbartëse e ideologjisë nacionaliste. E tillë është edhe euro. Ajo u krijua si monedhë jo vetëm për të unifikuar financat europiane, por mbi të gjitha si projekt politik ku do aderonin kombe të cilat do ndjeheshin pjesë e bashkimit të madh. Një financë në duart jashtë bankave kombëtare, ishte shprehje e frymës së bashkimit dhe vendosmërisë së BE-së për të qënë një e vetme. Një monedhë unike e Brukselit, redukton mundësitë e liderëve rajonal për autoritarizëm dhe përdorim të bankës kombëtare për projekte individuale autoritariste. Një euro e përbashkët, përveçse një impenjim i secilit pjesëtar që të qëndronte brenda parametrave, do ishte edhe një mekanizëm ndihmës, si së fundmi në rastin grek e spanjoll. E meta e deritanishme është se mungesa e eksperiencës në projektin e pa dëgjuar më parë të euros, solli praninë e spekulantëve në financa dhe abuzimin me të çarat e sistemit; të politikanëve jo vizionarë në vendet pjesëmarrëse, që kishin synim fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe jo të ardhmen e Europës së Bashkuar; dhe mbizotërimin e teknicienëve të Brukselit dhe Frankfurtit në vendime që duhet të ishin kryesisht politike.

Por kriza e Euros, ka edhe të mirën e saj, duke filluar që nga formimi i vetëdijes se Bashkimi Europian ende është i brishtë. Mësimi tjetër është se duhet një reformë dhe projekt i pa ngjashëm as me shtetet nacionale dhe as me ato federale. Do jetë diçka e re e cila u iniciua gati gjashtëdhjetë vjet më parë, por do ndërtohet e korrigjohet përditë. Është një makinë e cila nuk është as në funksion të Gjermanisë, Francës apo Anglisë, dhe as të shteteve nano që mbushin tavolinat. Do jetë një bashkim vullnetesh të lira, që kanë zë të përbashkët; ku respekti nuk do jetë në bazë të fuqisë ekonomike, por të ideve dhe vlerave; ku i forti mbron të dobëtin, pa i kërkuar interesat në fund, dhe i varfri nuk spekulon me ndihmën e të pasurit. Mbi të gjitha ky projekt është i domosdoshëm për vende si Shqipëria. Pamundësia për të kultivuar demokracinë; bollëku i liderëve dritëshkurtër dhe tahmaqarë; injoranca e ngritur në pushtet; tarafi si mjet politik; rend i molepsur me krimin dhe administratë tribale; demokracia e perceptuar si mundësi e mbizotërimit të klanit; kultura rudimentare politike, të gjitha këto sëmundje kanë rezultuar të pa mundura për tu vetëkuruar. Shpresë e vendit është futja në gjirin e madh të bashkimit të vlerave të quajtur BE. Ndaj vota greke pro euros ishte një lajm i mirë për Shqipërinë se do të thotë që bregu i shpresës së lundërthyerve shqiptarë, që njëzetedy vjet përpara u nisën në kërkim të një jete më të mirë, ekziston dhe nuk do prishet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›