Ahmadinexhad kërcënon Perëndimin Ska dialog nëse vendosni sanksione
“Nëse do të aprovohen sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, nuk do të ketë negociata për çështjen bërthamore”. Kështu ka deklaruar Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, në Stamboll, për takimin aziatik pak ditë nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që duhet të votojë për sanksionet e reja ndaj republikës islamike për shkak të refuzimeve të kësaj të fundit, në ndalimin e programit të saj nuklear. “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë gabim nëse mendojnë se mund të vendosin sanksione e më pas të ulen për bisedime me Iranin”, tha ai. Fjalët e thëna nga Ahmadinexhadi vijnë një ditë pas deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që e ka cilësuar Iranin “një rast special”. Turqia dhe Brazili mëshojnë te “debati politik” i hapur për çështjen nukleare iraniane, para votimit për sanksionet e reja. Anëtarët jo të përhershëm lajmëruan një marrëveshje për shkëmbimin e uraniumit të pasuruar me Iranin, për të eliminuar frikërat e komunitetit ndërkombëtar për programin e tij bërthamor. Por kreu i qeverisë së Teheranit i lëshoi një apel edhe Moskës: “Rusia duhet të bëjë kujdes që të mos rreshtohet me armiqtë e Teheranit”. Kritikat nuk kanë munguar edhe ndaj Presidentit të SHBA, Barack Obama, që sipas Ahmadinexhadit do të humbë shumë shpejt nëse nuk i modifikon politikat e tij ndaj Iranit. Por për sa i përket Rusisë, Ahmadinexhad nuk ka përse të trembet. Kryeministri Vladimir Putin, i pranishëm në takimin e Stambollit, u shpreh se sipas tij sanksionet ndaj Iranit nuk duhet të jenë të ekzagjeruara. Putin tha se gjatë këtij takimi do ta takojë personalisht Ahmadinexhadin, për të biseduar për këtë çështje. Ndërkaq, drejtori i agjencisë bërthamore ruse, “Rosatom”, Sergey Kirienko, gjatë forumit AtomExpo të zhvilluar në Moskë, deklaroi se për “katër vitet e ardhshme” centrali bërthamor i Bushehrit, i pari i republikës islamike, “do të administrohet nga një staf teknik i përbërë nga rusë dhe iranianë”. “Irani sapo ka nisur rrugën për ta përdorur energjinë bërthamore për qëllime paqësore dhe nuk ka ende eksperiencën e duhur për të përdorur këto lloj impiantesh. Për këtë arsye, shtoi drejtori i Rosatom, Irani dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për një administrim të përbashkët të centralit”. Impianti iranian mendohet të jetë aktiv në gusht. Irani prej kohësh këmbëngul se programi i tij bërthamor është thjesht për qëllime paqësore, por kjo duket se nuk i ka bindur aspak fuqitë e mëdha, të cilat kanë kërkuar marrjen e sanksioneve të reja ndaj Teheranit për këtë çështje. Muajin e kaluar, Irani arriti një marrëveshje me Turqinë dhe Brazilin për të transportuar 1.2 tonë uranium të pasuruar në shkallë të ulët në Turqi, për t’u riprocesuar, në mënyrë që të mos përdoret për armë bërthamore. Presidenti Ahmadinexhad tha se marrëveshja është një mundësi e shkëlqyer që nuk mund të përsëritet. Udhëheqësi iranian tha se shpreson që komuniteti ndërkombëtar do ta pranojë marrëveshjen.
#