E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-it i zgjatet edhe dy vjet mandati

Yves de Kermabon: Po shtohen shembujt e punës ndërinstitucionale në Kosovë. Drejtësia po bashkëpunon me institucionet

Këshilli i Bashkimit Europian i ka zgjatur dje mandatin EULEX-it deri më 8 qershor të vitit 2012. Pas këtij vendimi, të dy përfaqësuesit e lartë europianë në Kosovë kanë deklaruar se prioritet i misionit europian do të mbetet edhe më tej ndërtimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Me këtë rast, shefi i EULEX-it, De Kermabon, ka konfirmuar se para përfundimit të këtij viti do ta lëshojë postin e kreut të EULEX-it. De Kermabon, por edhe Piter Feith, e kanë lavdëruar Kryeministrin Thaçi për sjellje konstruktive gjatë hetimeve. Që të dy deklaruan se janë të përkushtuar të funksionalizojnë gjykatat në veri të Mitrovicës. Shefi i ICO-së përsëriti se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
Pieter Feith tha se veriu sigurisht që do të jetë pjesë e perspektivës europiane sikurse të dyja vendet, Serbia dhe Kosova. Veriu nuk duhet të lihet anash, nuk duhet të përfundojë si konflikt i dhunshëm. Mendoj se kemi një marrëveshje të përgjithshme se nuk duhet të na kënaqë ideja e ndarjes. Kosova duhet të mbetet e tillë. Prandaj, është e rëndësishme që Bashkimit Europian dhe tërë bashkësisë ndërkombëtare t’u jepet qasje e madhe në veri, në mënyrë që të punojmë në zhvillimin socio-ekonomik dhe të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe të sigurojmë shërbime më të mira për qytetarët në veri. 
Ndërkaq, Yves de Kermabon u shpreh se ne kemi disa shembuj të punës së institucioneve vendore. Janë arrestimet e fundit që ka bërë Policia e Kosovës. Fjala është për dy persona të arrestuar për trafikim. Ky aksion është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, sepse kjo ka ndodhur në Kukës. Ky është fillimi, pra hapat e parë të angazhimit dhe të punës së institucioneve vendore. Kemi prokurorët vendorë në zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të cilëve po u japim më shumë përgjegjësi, duke përfshirë disa raste të ndjeshme, në mënyrë që të dëshmojnë se ata janë të angazhuar dhe të vullnetshëm për të ecur përpara. 
Kosova po bën përpjekje për të vendosur kontakte me Beogradin, me prokurorët serbë rreth disa serbëve të akuzuar për krime të luftës dhe për të bërë kërkesën për dëshmi të disa shqiptarëve të Kosovës. Jam krenar që jemi në gjendje për ta sjellë këtë kërkesë në Beograd për këtë proces të vështirë, por që në një mënyrë është edhe sinjal i mirë. 
Varrezën masive, tha shefi i EULEX-it, e kemi identifikuar me institucionet e Serbisë në Rashkë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Tani po pres nga pala shqiptare të bashkëpunojë, të punojë me institucionet e EULEX-it për të identifikuar po ashtu eshtrat e serbëve, që supozohet të jenë groposur në Kosovë, në mënyrë që të kemi balancim dhe pozitë të barabartë, e cila është e rëndësishme për ripajtimin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›