E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti: Dëm nëse ndryshohen ligjet

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Shpend Ahmeti, e ka kundërshtuar ndryshimin e kornizës ligjore për t'u mundësuar zbatimi i marrëveshjes me Serbinë. Ahmeti, ka thënë për “Epokën e re” se prekja e Kushtetutës, përkatësisht ndryshimi i ligjeve, është i dëmshëm.
“Është e dhimbshme se si e gjithë korniza në Kosovë po ndryshon për një marrëveshje që e ndan Kosovën në baza etnike dhe e bën shtetin jofunksional. Ministra të ndryshëm, kryeministri, por edhe presidentja kanë deklaruar më herët së më ‘marrëveshje nuk ndryshohen ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës’, ndërsa tani i ndryshojnë fjalët aq shpejt saqë presidentja premton (jashtëligjshëm) se edhe Kushtetuta mund të ndryshojë për këtë marrëveshje. Kjo është shumë e dëmshme”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka vlerësuar se autonomia e serbëve po betonohet me ligje në mënyrë që të jetë shumë e vështirë dhe e pamundur të zhbëhet. “Sa herë që mbahen negociata për rregullimin e brendshëm të Kosovës do të ndryshojnë ligjet me një proces jo shumë demokratik, mandej përveçse po shkelet sistemi unik i Kosovës, po betonohen ca ndryshime e pastaj shumë vështirë po mund t’i ndryshojmë. Kjo autonomi e serbëve po bëhet dhe po betonohet me ligje në mënyrë që të jetë shumë vështirë apo mos të themi e pamundur të zhbëhet”, ka thënë Ahmeti, duke bërë thirrje për mosratifikim të marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës.

“E kemi paralajmëruar edhe kundërshtimin tonë në Kuvendin e Kosovës, por edhe në protestat kundër kësaj marrëveshje, posaçërisht në ditën kur pritet të ratifikohet në Kuvend. Prandaj u bëjmë thirrje edhe një herë edhe subjekteve politike, edhe subjekteve të tjera shoqërore e ekonomike, ta ngrehin zërin kundër kësaj marrëveshje e cila është kundër interesave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ahmeti./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›