E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat në Turqi, mbi 900 persona të arrestuar

Policia turke ka arrestuar më shumë se 900 persona gjatë dy ditëve të protestave anti-qeveritare në Stamboll. Ministri i Brendshëm Muammer Guler ka njoftuar se disa prej këtyre personave janë lënë sërish të lirë, ndërsa të tjerë do të përballen me gjykatën.

Guler shtoi se gjatë protestave janë plagosur 26 oficerë policie dhe 53 civilë, njëri prej të cilëve ka marrë plagë të rënda.

Protestat e egra në Turqi shpërthyen pasi policia ndërhyri në një protestë paqësore kundër një plani për rindërtimin e një parku në Stamboll.

Sipas BBC, kryeministri Erdogan i ka ofruar uljen në bisedime protestuesve, por nuk ka një udhëheqës të qartë të tyre.

Në mëngjesin e së dielës, situata në rrugët e Stambollit ka qenë e qetë.

Manifestimet nisën kundër vendimit për të prerë rreth 600 pemë në parkun ‘Gezi’, në qendër të qytetit, për të ndërtuar aty një qendër tregtare. Përleshjet kanë nisur fillimisht gjatë ditës së djeshme kur policia kishte shkuar në mëngjes herët dhe i kishte dashur t’i largonte me dhunë manifestuesit. Më pas situata ka degjeneruar ne dhunë.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të vazhdojë planet për zhvillimin e Sheshit Taksim të Stambollit, me gjithë protestat e dhunshme që ka shkaktuar projekti kontrovers./Indeksonline./ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›